E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Protestat e opozitës do të vazhdojnë

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa iu drejtua sot në Kuvend kolegëve socialistë, duke theksuar se ata nuk duhet të shërbejnë si mburojë për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Zhupa reagoi ndaj deklaratave të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, lidhur me hedhjen e molotovëve gjatë protestës së Partisë Demokratike te vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, duke theksuar se protesta është një e drejtë qytetare dhe mbron interesin publik.

“Zoti Balla, mendova se do të kërkonit falje në emër të Policisë së Shtetit që morët protestuesin me flamur kombëtar, e goditët dhe pastaj hodhët edhe flamurin kombëtar, pasi kishit goditur liderin e opozitës, deputetë të opozitës, thjeshtë pse po ecnin në marshimin e revoltës në bulevard. Është hera e parë që një punonjës i policisë përdhos simbolin e shtetit”, tha Zhupa.

“Është e papranueshme që një punonjës i policisë të përdhosë flamurin kombëtar gjatë veprimeve ndaj qytetarëve. E sigurt është se nëse do të ishte një kriminel me një thes drogë do t’i hapnin rrugën. Nga ana tjetër protesta është një e drejtë qytetare dhe protestat e opozitës do të vazhdojnë se janë qytetarët që kërkojnë, që qeveria t’iu kthehet atyre, parlamenti të punojë për ta dhe të mos bëhet mburojë për imunitetin e zv.kryeministres”, tha Zhupa, duke kujtuar edhe qëndrimin e kryetares së Komisionit të Jashtëm të BE-së për testin kritik që lidhet me imunitetin e Ballukut dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Nëse doni të citoni kryetaren e Komisionit të Jashtëm të BE-së, atëherë citojeni drejtë, kur thotë se testi kritik për Shqipërinë është imuniteti i Ballukut. Zbatojeni atë që t’i hapni rrugë Shqipërisë për në BE. Të gjitha dhembshuritë që keni për vilën e diktatorit, mjafton të shihni pamjet e Teatrit me njerëz brenda, si i shembnit ju”, tha Zhupa.

Deputetja demokrate shtoi se qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe respektim të ligjit, duke u bërë thirrje socialistëve të mos i përdorin institucionet për interesa politike dhe të japin shembull në mbrojtje të rendit dhe të drejtave qytetare.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›