E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr i fuqishëm në Drizë të Fieri, flakët përhapen drejt banesave. Ndërhyhet nga ajri

Një zjarr i fuqishëm ka rënë pak para mesditës në fshatin Drizë, në Bashkinë Fier, duke përfshirë fillimisht shkurre dhe ullishte. I favorizuar nga era e fortë, zjarri është përhapur me shpejtësi në drejtim të zonës së Qafë Koshovicës.

Flakët kanë përfshirë edhe depot e ujit që furnizojnë qytetin e Fierit dhe disa fshatra përreth, ndërsa kanë rrezikuar edhe një biznes. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse është shmangur djegia e objektit.

Më pas, zjarri ka ndryshuar drejtim duke avancuar drejt fshatit Peshtan i Vogël, ku ka rrezikuar edhe disa banesa. Për shkak të përmasave dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopter.

Në operacion janë angazhuar 10 mjete zjarrfikëse, forca të Policisë së Shtetit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), si edhe efektivë të repartit “Shqiponja” dhe struktura të tjera të emergjencave civile.

Aktualisht, zjarri vijon të përhapet në zonën e Peshtanit, ndërsa forcat në terren po punojnë me intensitet të lartë për izolimin e vatrës dhe vendosjen e situatës nën kontroll.

Për shkak të erës së fortë, flakët janë afruar edhe pranë bizneseve dhe zonave të banuara, duke rritur rrezikun për banorët.

Sipas përgjegjësit të Sektorit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj, në terren janë angazhuar 10 mjete zjarrfikëse dhe 50 efektivë.

“Situata paraqitet problematike, pasi flakët janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë për shkak të bimësisë dhe erës. Jemi të fokusuar në mbrojtjen e banesave. Në terren po operojnë 10 mjete zjarrfikëse dhe 50 efektivë. Kemi bërë kërkesë edhe për ndërhyrje nga ajri”, tha ai.

Zjarrfikëset nga Fieri, Roskoveci, Patosi dhe Albpetrol vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës së zjarrit dhe parandalimin e rrezikut për banesat dhe zonat përreth.

Drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Gentian Alikaj, bëri të ditur se flakët janë shuar, ndërsa në fazën e parë kanë qenë vetë punonjësit e ujësjellësit ata që kanë ndërhyrë për neutralizimin e zjarrit. Sipas tij, shërbimet zjarrfikëse ishin të angazhuara fillimisht në mbrojtjen e banesave të rrezikuara.

Alikaj tha se zjarri ka dëmtuar bazën materiale të stacionit, përfshirë linjat e furnizimit me ujë, transformatorët, mjetet motorike dhe pajisje të tjera, të cilat tashmë janë jashtë funksionit.

Megjithatë, ai siguroi se janë marrë masat e nevojshme për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me ujë të qytetit të Fierit, ndërsa është vendosur edhe perimetri i sigurisë.

“Dëmet janë në materiale të shumta dhe e gjithë baza materiale në linjat e furnizimit me ujë dhe mjete motorike, transformator etj. të cilat aktualisht janë djegur dhe janë jashtë funksionit. Zjarri ka rënë rreth mesditës dhe kemi marrë masat për ruajtën e perimetrit të sigurisë për të furnizuar pa ndërprerje qytetin e Fierit. Duke qenë se situata ka qenë ë tillë që kishte dëme edhe në banesa është parë e udhës që pjesa e zjarrfikëses të kishte në mbikëqyrje jetët e njerëzve. Aktualisht nuk kemi më probleme, zjarri pothuajse është fikur përveç se dëmeve pjesa tjetër është në rregull”, u shpreh Alikaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›