E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në “arrest shtëpie” dy protestues, detyrim paraqitjeje për 19 të tjerë

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 21 protestuesit e arrestuar gjatë incidenteve të së enjtes, kur protesta para Parlamentit u shoqërua me përplasje mes qytetarëve, deputetëve dhe forcave të policisë.

Në seancën e zhvilluar pa praninë e medias, avokatët mbrojtës kundërshtuan ligjshmërinë e arrestimeve në flagrancë, duke kërkuar shpalljen e tyre të paligjshme. Nga ana tjetër, Prokuroria kërkoi masën “arrest në burg” për dy protestues, “arrest në shtëpi” për një tjetër dhe “detyrim për t’u paraqitur” për pjesën tjetër të të ndaluarve.

Sipas organit të akuzës, policia ka vënë në dispozicion pamje filmike, të cilat, sipas prokurorisë, dokumentojnë akte dhune ndaj efektivëve dhe dëmtimin e automjeteve të Policisë së Shtetit.

Pas shqyrtimit të kërkesave të palëve, Gjykata vendosi masën “arrest në shtëpi” për Everest Bardhin dhe Ervin Gegën, ndërsa për 19 protestuesit e tjerë caktoi masën “detyrim për t’u paraqitur”.

Gjatë zhvillimit të seancës, procesi u ndërpre për disa minuta pasi një prej protestuesve të arrestuar shfaqi probleme shëndetësore, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e një ekipi të urgjencës.

Protesta e së enjtes para Kuvendit u përshkallëzua në përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat kishin krijuar kordon sigurie për të penguar sulmet me vezë dhe sende të forta ndaj deputetëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›