E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarr i madh në Jazhincë, mbyllet pika kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

PRISHTINË, 15 gusht /ATSH/ Pika kufitare e Glloboqicës, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, është mbyllur për shkak të një zjarri të madh në Jazhincë të Maqedonisë së Veriut.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka bërë të ditur se autoritetet maqedonase kanë informuar palën kosovare rreth orës 15:40 se, për shkak të përhapjes së zjarrit pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut të shtuar për sigurinë, është marrë vendimi për mbylljen e kësaj pike kufitare.

“Rreth orës 15:40, nga pala maqedonase jemi informuar se, për shkak të zjarrit të madh që është afruar pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut nga përhapja e tij, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është mbyllur përkohësisht pika kufitare RKS–RMV në Glloboqicë”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Sipas një artikulli të “Kosovapress”, në terren ndodhen të gjitha ekipet e zjarrfikësve nga Tetova dhe dy automjete të specializuara nga Drejtoria për Mbrojtje, të cilat po punojnë për të mbrojtur pronat nga zjarri.

Në ndërhyrje janë angazhuar edhe një aeroplan “Air Tractor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Rruga që të çon drejt pikës kufitare të Jazhincës (me Kosovën) mbetet e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm.

Qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin zonën dhe të lirojnë rrugët për automjetet e emergjencës.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›