E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në një sipërfaqe me ullishte në Drizë të Fierit, nis ndërhyrja nga ajri

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Një zjarr i fuqishëm ka rënë mesditën e sotme në fshatin Drizë të Fierit, duke përfshirë fillimisht sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.

I favorizuar nga era, zjarri është përhapur me shpejtësi në drejtim të zonës së Qafës së Koshovicës, duke krijuar një perimetër të gjerë të prekur nga flakët.

Më pas, vatra ka ndryshuar drejtim duke u përhapur drejt fshatit Peshtan i Vogël, ku janë rrezikuar edhe disa banesa. Për shkak të intensitetit dhe përmasave të zjarrit është kërkuar ndërhyrje nga ajri me helikopter.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndau në rrjetet sociale pamje të aksionit nga ajri për shuarjen e zjarrit, ndërsa informoi se “forcat zjarrfikëse po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, pavarësisht vështirësive të krijuara nga erërat e forta. Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa pritet që një helikopter i dytë t’i bashkohet ndërhyrjes në çdo moment”.

Aktualisht, forcat në terren po punojnë për të vënë nën kontroll vatrën, ndërsa situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›