Zjarr pranë Parkut Natyror “Syri i kaltër”, ndërhyhet nga ajri për shuarjen e flakëve

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Disa zjarre masive kanë përfshirë hyrjen e Parkut Natyror të “Syrit të kaltër” përballë fshatit Krongj, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta.
Sipas medieve, po ndërhyhet nga ajri për shuarjen e flakëve, ndërsa turistët janë evakuar nga zona për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarrit.
Nënprefekti i Sarandës Kristaq Kiço në një intervistë për mediet e përshkroi situatën si mjaft problematike.
“Situatë e pafavorshme edhe për shkak të erës. Flakët fluturojnë deri në distancë 200 metra nga forca e erës. Personalisht nuk e kam përjetuar ndonjëherë. Jemi përqendruar në fshatin Krongj, me forca të dislokuara, si dhe sot me helikopter të Forcave të Armatosura. Por edhe pse u mendua se u shua, vatrat u riaktivizuan, situata mbetet problematike. Parku i “Syrit të kaltër” nuk mbaj mend të jetë përfshirë ndonjëherë nga flakët në këto përmasa”, tha nënprefekti.
Kiço u shpreh se nuk mund të operohet me forca tokësore, ndërsa shtoi se duhet treguar kujdes maksimal pasi kushtet atmosferike janë në disfavor për shuarjen e flakëve.
“Nuk mund të operohet me forca tokësore me atë dendësi bimësh e terreni. Deri tani ka operuar një helikopter dhe jemi në pritje të avionëve “Canadair” që i presim nga çasti në çast. Problem është se janë disa vatra zjarri, madje ka edhe nga ato që riaktivizohen, një perimetër prej 50 km të paktën. Shfaqet sa në Mesopotam, në një fshat tjetër. Duhet treguar kujdes maksimal, jemi në terren 24 orë, por kushtet atmosferike, era dhe temperaturat e larta i kemi në disfavor”, përfundoi Kiço.
/m.q/r.e/