E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Transformohet Shtëpia së Fëmijës në Sarandë, model modern të përkujdesjes sociale

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Godina e Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë po transformohet në një hapësirë moderne, të sigurt dhe me standarde europiane, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve për fëmijët.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot, në një postim në rrjetet sociale, se projekti është pjesë e investimeve të qeverisë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Sipas Koçiut, investimi do të krijojë kushte optimale dhe hapësira të dedikuara për mësim, art, edukim dhe zhvillimin e aftësive, duke u ofruar fëmijëve jo vetëm një ambient të përshtatshëm për të jetuar, por edhe më shumë mundësi për të mësuar, ëndërruar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre.

Qendra e re synon të ofrojë një model modern të përkujdesjes sociale, duke shërbyer si pikë referimi për kujdesin rezidencial dhe ditor për fëmijët, përgatitjen e tyre për jetesë të pavarur dhe zhvillimin e aftësive në një mjedis gjithëpërfshirës.

“Ky projekt, pjesë e investimeve të Qeverisë Shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të krijojë kushte optimale dhe hapësira të dedikuara për mësim, art, edukim dhe zhvillimin e aftësive, duke u dhënë fëmijëve jo vetëm një shtëpi të vërtetë, por edhe më shumë mundësi për të mësuar, për të ëndërruar dhe për ndërtuar të ardhmen e tyre”, shprehet Koçiu.

“Bashkë për fëmijët, për të ardhmen, për Shqipërinë 2030”, përfundon mesazhin Koçiu.

Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më human dhe efikas të përkujdesjes sociale, duke vendosur në qendër nevojat dhe mirëqenien e fëmijëve dhe komunitetit në tërësi.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›