Zjarret në Peqin, qindra forca në terren për shuarjen e flakëve

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Situata e zjarreve në territorin e Bashkisë Peqin vijon të mbetet e rënduar edhe gjatë orëve të para të fundjavës, me vatra aktive në të dyja njësitë administrative, Përparim dhe Pajovë.
Sipas medieve, operacioni për përballimin e situatës ka rifilluar në orën 05:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, ndërsa në terren janë angazhuar qindra forca të shërbimit zjarrfikës, strukturave të emergjencave civile, Forcave të Armatosura, si dhe banorë të zonave të prekura.
Në operacion janë përfshirë gjithashtu dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse nga 11 bashki, të cilat po punojnë në koordinim për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Një pjesë e forcave dhe mjeteve janë pozicionuar në afërsi të banesave, me qëllim mbrojtjen e tyre, ndërsa grupe të tjera po punojnë për hapjen e brezave mbrojtës dhe izolimin apo shuarjen e vatrave aktive.
Po sipas medieve, bilanci i deritanishëm përfshin vetëm një banesë të vjetër dhe të pabanuar, e cila është përfshirë nga flakët gjatë pasdites së djeshme.
Deri tani nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat apo gjënë e gjallë.
Sot gjithashtu pritet që krahas ndërhyrjes nga toka që po vazhdon për izolimin dhe shuarjen e zjarreve të bëhet sërish ndërhyrja nga ajri.
/m.q/