E Martë, 3 Nëntor 2026

Zjarret në vend, 11 vatra ende aktive. Flakët në Malin e Thatë dhe në Tropojë rrezikojnë parqet kombëtare

Në të gjithë vendin janë edhe 11 vatra aktive zjarri, ndërsa 36 të tjera janë shuar nga forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile. Më problematike mbeten ende vatrat e zjarrit në Malin e Thatë dhe ajo në Tropojë ku rrezikohen parqet kombëtare.

Konkretisht në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit, por ai vijon të jetë ende aktiv për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë.

Edhe në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri, ajo në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren. Këto vatra rrezikojnë Parkun Kombëtar të Alpeve për shkak se era ndihmon në përhapjen e flakëve dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.

Zjarret ende aktive janë edhe në disa zona të veiout dhe jugut të vendit, por që janë vënë nën kontroll dhe për momentin nuk paraqesin rrezik për banesat dhe përhapjen e tyre.

Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje. Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.  Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur. Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.

Edhe në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.  Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›