Zjarret përfshijnë Greqinë, 2 viktima dhe disa të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve të fuqishme që kanë përfshirë disa zona të Greqisë, përfshirë Peristeria, Selinia dhe ishullin Salaminë.
Autoritetet kanë evakuuar rreth 600 persona, ndërsa nëntë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Flakët kanë përfshirë gjithashtu dhjetëra banesa, disa prej të cilave janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa sipërfaqe të mëdha toke janë përfshirë nga zjarri.
Departamenti i Zjarrfikësve ka bërë të ditur se zjarri në zonën e Peristerias, në Salaminë, vijon të ketë vatra aktive. Ndërkohë, zjarri i dytë që shpërtheu në zonën e Selinias nuk paraqet më një front aktiv.
Ekipet zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e vatrave të mbetura dhe për parandalimin e përhapjes së flakëve në zona të tjera. Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarreve, ndërsa dëmet materiale mbeten të konsiderueshme.
/rtsh.al/