Zjarri në Korçë, pushohen për neglizhencë 3 persona
Korçë-Pas zjarrit në një pallat në Korçë, kur 1 i moshuar humbi jetën dhe banorë të tjerë u plagosën, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, prefektja e Korçës, Elfrida Zefi ka pushuar nga puna 3 persona për neglizhencë.
Pak çaste më parë ajo pushoi nga detyra shefin e sektorit të emergjencave civile në Prefekturë, shefin e mbrojtjes nga zjarri dhe shefin e shërbimit zjarrfikës. Sipas Zefit, këta persona nuk kanë vepruar në kohë për eleminimin e dëmeve të shkaktuar.
Ajo ka pretenduar se nuk është njoftuar nga personat përkatës në detyrë për zjarrin e rënë në pallatin tre katësh, por nga banorët e terrorizuar.
Ngjarja e ndodhur sot në pallatin e rrugës "Partizani" është shkaktuar nga shpërthimi i një bombule gazi në banesën e shtetasit Jetmir Bejko.
Të paktën 6 apartamente kanë dalë plotësisht jashtë funksionit nga rënia e këtij zjarri, por ndërkaq rrezikohen edhe 6 apartamente të tjera të katit të dytë të pallatit nga uji i shumtë i hedhur prej zjarrfikseve. Të dhënat janë bërë publike në takimin e shtabit të emergjencës civile.
Prefektja e Qarkut, Elfrida Zefi, si dhe kryetari i bashkisë, NikoPeleshi, bashkëpunuan për t’u ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar. Si masë paraprake u caktuan ambiente akomodimi në konviktin e shkollës së mesme bujqësore në Korçë,ku do të strehohen paraprakisht 8-10 familje.
Pas zjarrit banorët janë evakuar me urgjencë, ndërkohë në vendin e ngjarjes, forcat e policisë dhe zjarrfikëset punuan gjatë për shuarjen e flakëve, të cilat vinin në rrezik krejt ndërtesën, pasi në të kishte edhe bombula të tjera.
Ngjarja ndodhi në mesdite në një pallat tre katësh në qendër të qytetit të Korçës, në afërsi të një shkolle 9-vjeçare, ku një burrrë i moshuar, humbi jetën, pasi nuk arriti t’i rezistonte asfiksisë.
Banorët të alarmuar kanë njoftuar policinë dhe në vend mbërritën 4 makina zjarrfikëse dhe forca të shumta policie. Nga hetimet e para mësohet se shkak i zjarrit ka qenë një bombul gazi, e cila pas shpërthimit në katin e tretë të një apartamenti ka bërë që flakët të përhapen me shpejtësi e për pasojë të digjet vetëm në pak minuta i gjithë kati i tretë i pallatit.
Edhe pse zjarrfikëse dhe policia kanë ndërhyrë menjehërë, për shkak të konstruksionit të ndërtesës prej druri dhe prej kashte kati i tretë është shkrumbuar totalisht.
Në vendngjarje, një ambulancë ka bërë shoqërimin e të plagosurve në spitalin e Korçës. Në ndihmë të zjarrfikësve nga Korça për të shuar zjarrin kanë ardhur dhe zjarrfikës nga Erseka, Pogradeci dhe Devolli.
Sipas kreut të bashkisë, Niko Peleshi dëmet janë të konsiderueshme. Ai ka konfirmuar zyrtarisht se kati i tretë është krejt i shkrumbuar, ndërkohë që të dëmtuara janë edhe banesat e katit të dytë. "Po kryhen përgatitjet e nevojshme dhe po merren masa për të siguruar strehimin paraprak të banorëve të dëmtuar nga zjarri. Është mbledhur shtabi i emergjencave civile, i cili do të ndërhyjë për furnizimin e popullatës me ndihma ushqimore dhe për të siguruar asistencën e parë me mjekime për personat e traumatizuar"- tha ai.