Zjarri tek pallati pranë QSUT, Avokati i Popullit shkresë bashkisë Tiranë: Jepni bonus qiraje për familjet e prekura

Institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar sot Bashkisë Tiranë, me një shkresë përmes të cilës kërkon garantimin e strehimit të përshtatshëm për të gjithë banorët e prekur nga zjarri në pallatin pranë QSUT-së në Tiranë.
Në letër citohet se fokusi më emergjent në trajtimin e kësaj çështjeje ka të bëjë me të drejtën për strehim.
Konkretisht, Avokati i Popullit kërkon trajtimin e familjeve të ngelura të pastreha, me bonus qiraje.
“Familjet e mbetura të pastreha nga zjarri i rënë në pallatin e kompleksit “Arlis”, vlerësojmë se duhet të trajtohen në mënyrë të menjëhershme me një nga programet e strehimit social, më të përshtatshëm, të parashikuar në nenin 11, të ligjit nr. 22/2018. Më konkretisht, përfitimi i bonusit të qirasë për këto familje derisa atyre t’i sigurohet strehimi i përshtatshëm përmes meremetimit të banesave, do të ishte zgjidhja e duhur dhe koherente për vetë zhvillimet që lidhen me këtë rast”, thuhet ndër të tjera në letër.
/rtsh.al/