Zogaj paralajmëron për sulmet ndaj prokurorisë: Po bëhet ‘miza buall’. Nëse bie hetimi, bie drejtësia

Analisti Preç Zogaj, gjatë një konference në emisionin “Trialog” në RTSH 1, nën moderimin e Alba Alishani, ngriti shqetësimin për një tendencë në opinionin publik: frymën kundër Prokurorisë me qëllim të deligjitimimit të procesit të hetimeve.
Sipas Zogajt, qoftë kjo e drejtpërdrejtë apo përmes rastesh specifike, ka një “investim kundër hetimit”, sepse rënia e hetimit do të thotë rënie e drejtësisë në tërësi.
Analisti theksoi se gjykata, për të dhënë drejtësi, varet thellësisht nga puna e Prokurorisë.
“Po ra hetimi bie drejtësia. Sulmet që i bëhen hetimit synojnë ta deligjitimojnë,” u shpreh Zogaj. Ai theksoi se Prokuroria po sulmohet në mënyrë që të paraqitet si e tepruar apo e gabuar, duke përdorur metaforën se po i bëhet “miza buall”.
Zogaj sqaroi se edhe nëse prokuroria e tepron në ndonjë rast, kjo nuk e zhvlerëson të gjithë procesin, por paralajmëroi pasojat më të rënda: “Nëse bie hetimi, bie drejtësia sepse gjykata kthehet në ‘mulli pa kokrra’ nëse s’ka hetim. Është gjykata që bën drejtësi, jo prokuroria,” përfundoi ai.
/rtsh.al/