E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zona muzeale në Gjirokastër, destinacion i preferuar për turistët edhe në vjeshtë

Pavarësisht se vera ka mbaruar, pazari karakteristik i Gjirokastrës vijon të pulsojë nga jeta.

Turistë vendas e të huaj e mbushin ende zonën muzeale, duke shijuar atmosferën unike që qyteti i gurtë ofron edhe në vjeshtë.

“Në Gjirokastër pamja e maleve është mbresëlënëse. Zona muzeale është e mrekullueshme. Dyqanet me punime artizanale dhe atmosfera tradicionale e bëjnë vizitën tejet autentike. Ndihesh pjesë e kulturës dhe historisë së qytetit,” thotë një turist.

“Jemi duke e vizituar Gjirokastrën, sepse është një vend me histori. Unë jam magjepsur nga arkitektura e shtëpive dhe kalldrëmet e gurta. Ndihet sikur kthehesh në kohë dhe çdo cep i qytetit tregon një histori të veçantë,” shton një turiste.

“Jam prej tri ditësh në qytet. Gjirokastra në vjeshtë ka një bukuri të veçantë. Ngjyrat e stinës dhe qetësia e rrugicave të gurta krijojnë një ambient perfekt për të shijuar qytetin dhe për të bërë foto fantastike,” shprehet një tjetër turist.

Vjeshta i ka dhënë Gjirokastrës ngjyra të reja dhe  bukuria e pazarit të saj mbetet po aq tërheqëse. 

Edhe në këtë periudhë, qyteti i gurtë vazhdon të tërheqë vizitorë, duke treguar se historia dhe tradita e tij janë një magnet turistik në çdo stinë të vitit.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›