E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dronët rusë në hapësirën ajrore të Rumanisë, Rusia thotë se është një provokim nga Kievi

Ambasadori rus në Rumani tha se ndërhyrja me dron në hapësirën ajrore rumune ishte një provokim nga ana e Ukrainës.

Deklarata erdhi pasi i dërguari i Moskës u thirr nga Ministria e Jashtme rumune lidhur me incidentin e një dite më parë. Ambasadori Vladimir Lipayev tha se Rumania hodhi akuza të pabaza ndaj Rusisë se ishte përgjegjëse për ndërhyrjen në hapësirën ajrore.

“Të gjitha faktet të çojnë të besosh se ishte një provokim i qëllimshëm nga regjimi i Kievit. Bukureshti nuk arriti të përgjigjej konkretisht dhe me bindje ndaj pyetjeve të bëra nga Rusia,” thuhet në një deklaratë të ambasadës ruse.

Rumania ka gjetur pjesë dronësh të rrëzuara në territorin e saj që kur Moska dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, veçanërisht pasi Rusia ka shtuar sulmet ndaj porteve ukrainase. Ministria rumune e Mbrojtjes raportoi se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga një dron rus. 

“Ngritëm dy avionë luftarakë F-16, të cilët zbuluan një dron në hapësirën ajrore kombëtare dhe e gjurmuan atë derisa u zhduk nga radari,” njoftoi Ministria, duke shtuar se droni nuk fluturoi mbi zona të populluara dhe nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e banorëve. 

Shkelja e hapësirës ajrore të Rumanisë, e cila vjen pasi vendi i tjetër i NATO-s, Polonia, rrëzoi disa dronë rusë në territorin e saj javën e kaluar, u dënua ashpër nga kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

“Shkelja e hapësirës ajrore rumune nga dronët rusë është një tjetër shkelje e papranueshme e sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së,” tha ajo. “Ky përshkallëzim i vazhdueshëm i pamatur kërcënon sigurinë rajonale. Solidarizohemi me Rumaninë,” u shpreh Kallas. 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›