Zonja e gurtë me kunora
Një vit më parë, në ditët e nxehta të korrikut endeshim për te kështjellat e moçme arbëre mbi Shkodër, ato të njohurat e të panjohurat, së bashku me historianin Oliver Schmitt dhe dy historianë shqiptarë. Tablo të jashtëzakonshme sapo që ngriheshe pak mbi lartësitë e maleve. Më bëri veçanërisht përshtypje në ato ditë të kthjellta, qartpamja prej cilësdo pikë që ngjiteshe: nga kështjella e Drishtit mbi Kir, te ajo e Ballecit mbi Rrjoll (ende mister vendndodhja e qytetit mesjetar), apo nga lartësitë mbi Hanin e Hotit para se të hysh në Malësi të Madhe. Dhe nga secila lartësi në qendër të arenës gjigande ndodhej gjithmonë kodra apo mali i ulët shkëmbor i Rozafës. Jo më kot: kështjella e moçme ka sunduar gjithë basenin fushor-kodrinor-malor shkodran, dhe jo në pikëpamje të lartësisë por atë strategjike.
Ajo ndodhet buzë ujërave të liqenit të Shkodrës, të lumenjve Drin e Bunë, ky i fundit i lundrueshëm, por ndodhet gjithaq në përfundim të ultësirës së Zadrimës e Nënshkodrës dhe në këmbët e vargjeve kodrinore e malore që nisen prej aty. Krahasimi mund të bëhet vetëm me kështjellën e Krujës, që në ditë të kthjellta mbikëqyrte gjithë ultësirën e Shqipërisë së mesme e veriore dhe me kështjellën e Beratit nga sheh në ditë të tilla krejt Myzqenë e deri në Vlorë.
Rëndësia e Rozafës prej shekujsh që nuk njihen (mendohet të ketë pasur aty fortifikime edhe para 3000 vjetësh), ka bërë që rrotull saj të rrëfehen lloj-lloj legjendash. Motivi ballkanik i murimit te serbët dhe shqiptarët është lidhur pikërisht me këtë kështjellë; jo rastësisht te serbët, pasi e patën krenari të mbretërisë së tyre për rreth 150 vjet, pasi e morën nga bizantinët dhe para se t’ua dorëzonin Balshajve në vitin 1355 me rënien e perandorisë së Dushanit. Barleti rrëfen legjendën e dy motrave Roza dhe Fa, ndër të cilat e dyta sakrifikohet me murim, në mënyrë që muret e kalasë të mos rrëzohen. Në të vërtetë emri Rozafa ka ardhur nga qyteti me të njëjtin emër në Siri, siç e vërejti i pari historiani Jireçek, qytet i shenjtorëve Sergius dhe Bacchus. Këta dy shenjtorë patën kult të vërtetë në zonën përreth Shkodrës, p.sh., emrin e të parit e pati manastiri i dëgjuar i Shën Sergjit, më pas Shirgj në shqipe.
Një kështjellë me histori të vërtetë „ndërkombëtare“. Nga monedha të ndryshme dhe emra nëpunësish njihet periudha helenike e qytetit në shekullin 2 para e.s. Ndërsa nga historianët romakë njohim qëndresën e mbretit të Labeatëve Gentit, deri në vitin 168 p.e.s., kur detyrohet t’ua dorëzojë romakëve, sidoqoftë duke u ruajtur “Republika e Labeatëve”.
Kështjella është e Bizantit deri në kohën kur e marrin Nemanjat në shek. 12. Historinë e qytetit të Shkodrës në mesjetën e lartë e ka përshkruar mjaft mirë, duke u mbështetur te Shuflai por edhe në bazë të Statuteve të Shkodrës të zbuluara vitet e fundit, Oliver Schmitt. Schmitt gjen në Shkodër, si dhe në qytete të tjera të zhvilluara të Dalmacisë, komunitetin qytetar me rregulla tepër të përpunuara të bashkëjetesës. Gjuha e statuteve, si dhe përmendja e atyshme e shqiptarëve ose sllavëve, nuk lë shumë dyshim që kemi të bëjmë me një rruazë nga të fundmet në vargun e gjatë të qyteteve dalmate-romane.
Ndërsa burimi më i mirë autentik për të njohur kështjellën dhe qëndresën e saj të gjatë nën venecianët, deri kur u dorëzua më 1479, e gjejmë te Barleti dhe vepra e tij “Rrethimi i Shkodrës“. Venedikasit i patën bërë kështjellës së lashtë zgjerime dhe përforcime të rëndësishme. Citadela, muri rrethues me katër kulla në lindje, tri në veri dhe një në jug u ngritën të gjitha në kohën e venedikasve (shih ndër të tjera Ippen, Th.: “Shqipëria e vjetër”, Tiranë 2002, f.120).
Në vitet e gjata të rrethimit venedikasit rrafshuan gjithçka që mund të bëhej pengesë në fushëpamjen dhe mbrojtjen e tyre. Kështu do të jenë zhdukur pjesa më e madhe e shtëpive që ngriheshin në faqet e kodrës-kështjellë së bashku me oborret dhe vreshtat e tyre.
Periudha osmane pas pushtimit, përveçse ndërrimin e popullsisë - dihet se shkodranët që shpëtuan gjallë u zhvendosën në shumicën e tyre në qytete të Italisë si Venecie, Ravena e Treviso - solli rrënimin e ngadalshëm të kështjellës. Këtu pati përherë depo baruti që kanë shpërthyer kohë pas kohe, duke marrë me vete pjesët më të brishta e më me vlerë të kështjellës. Një shkëlqim të përkohshëm kalaja e pati nën Bushatllinjtë, që patën ngritur këtu pallatin e tyre. Mahmud pasha i qëndroi një rrethimi të gjatë, për të shpërthyer fitimtar mbi ushtritë rrethuese më 1787. Kurse Mustafa pasha pas një rrethimi të gjatë iu dorëzua Vezirit të madh më 1831. Pas kësaj periudhe e sidomos me shpërthimet e magazive të barutit në gjysmën e dytë të shek. 19 citadela kthehet në një gërmadhë të vërtetë.
Vetëm se nga jashtë, Rozafa nuk e ka humbur asnjëherë madhështinë e saj. Me mënyrën e vet lakonike e kap këtë në pak vargje poeti Martin Camaj:
Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.
Janë këto kunora dhe guri përkrye që e përshëndetin udhëtarin nga cilado anë t’i afrohet Shkodrës. Janë konture që s’i harron dot kush që vjen edhe veç një herë në këto vise. Është një imazh që, pse vjen i tillë nga shekujt, po ashtu duhet t’u mbetet shekujve dhe s’mund të preket.
*Artikulli plotëson dhe mbështet letrën e hapur të një grupi autorësh drejtuar Ministrit të TKRS, lidhur me një projekt për ndërtimin e një teleferiku që të shpie në kështjellën e Rozafës. (letrën e plotë mund ta lexoni në faqen 16 të gazetës)