E Diel, 1 Nëntor 2026

Zvërneci, Rama: Camargue në Francë tregon se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës ecin së bashku

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me debatet e fundit për investimin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke bërë thirrje për një diskutim të qytetëruar dhe për respektimin e të drejtës së ambientalistëve dhe qytetarëve për të shprehur shqetësimet e tyre.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama kritikoi gjuhën fyese dhe denigruese që, sipas tij, po përdoret nga një pjesë e komentuesve në hapësirën publike.

“Dy llafe si fillim për revolucionarët që hyjnë këtu dhe nëpër faqet sociale të kujtdo që mendon ndryshe prej tyre. Meqë nuk bashkojnë dot katër fjali bashkë për të formuar një koncept e kompensojnë boshllëkun me fjali bërtitëse, ku spikasin sharjet dhe thirrjet njërrokëshe. Lërini ambientalistët e vërtetë në punën dhe në të drejtën e tyre të protestës, lërini mbrojtësit dhe dashamirët e natyrës në të drejtën e tyre për të protestuar, por lërini në paqe edhe flamingot dhe mos ua bëni puplat bojëkafe me llumin e gjuhës së rrugës. Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet e mallkimet tuaja, po boll e ndotët tërë mexhelisin shqipfolës të rrjeteve sociale me fjalorin tuaj me 40 fjalë ku 20 janë sharje e pisllëka”, u shpreh Rama.

Kryeministri solli si shembull modelin e zhvillimit të rajonit të Camargue në jug të Francës, duke argumentuar se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik nuk janë domosdoshmërisht procese kundërshtuese.

Sipas Ramës, Camargue përfaqëson një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës, e njohur për biodiversitetin e pasur, lagunat, kriporet dhe kolonitë e flamingove, ndërsa njëkohësisht është shndërruar në një destinacion ndërkombëtar turistik me aktivitete ekonomike të zhvilluara.

“Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj. E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj. Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit, por shpesh është vetë zhvillimi”, theksoi ai.

Rama nënvizoi se sfida nuk qëndron tek zgjedhja mes natyrës dhe ekonomisë, por tek krijimi i një modeli ku të dyja të bashkëjetojnë dhe të përfitojnë.

Sipas tij, kur peizazhi dhe pasuritë natyrore bëhen pjesë e modelit ekonomik, komunitetet lokale fitojnë interes të drejtpërdrejtë për t’i mbrojtur dhe zhvilluar ato në mënyrë të qëndrueshme.

“Pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë. Ky është mësimi i vërtetë i Camargue: nuk zgjodhi mes natyrës dhe zhvillimit, por gjeti mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë”, u shpreh kryeministri. /j.p/

1 nga 10

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›