E Shtunë, 31 Tetor 2026

- 49 kg + 1 album

Ajo njihet tashmë si një nga vokalet më të mira shqiptare. Shumë e suksesshme në Kosovë e Shqipëri, siç duket hapësira e vogël nuk i mjaftoi që të tregojë talentin e saj, kështu që vendosi të largohet drejt Amerikës për të realizuar ëndrrën për të prekur skenat e mëdha, atje ku paraqiten yjet botërorë. Linda Halimi është martuar me një të huaj dhe tashmë po përjeton ëndrrën amerikane.

Ndërsa dikush me vite nuk arrin të realizojë një album, Linda do ta bëjë brenda tetë muajsh. “Albumi do të përgatitet gjatë këtij viti dhe pritet që diku pas 8 muajsh të përfundojë. Do të jenë 9 deri në 10 këngë, të gjitha në gjuhën angleze. Këngët janë duke u realizuar nga emra të mëdhenj të muzikës, të cilët po ashtu po merren edhe me realizimin e teksteve. Në fakt, ky është albumi i parë që po përgatis dhe uroj që publiku ta pëlqejë. Klipin e kemi xhiruar ditën e tretë kur kam ardhur këtu, por ende nuk publikohet, sepse bashkëpunëtorët i kanë datat e caktuara se kur do ta publikojnë, pasi duhet të jetë albumi gati kur të publikohet klipi. Ajo që mund të them, është se videoklipi është përgatitur në New York. Klipi bën fjalë për një tradhti, ku unë e gjej të dashurin duke u puthur me dikë tjetër. Pra, kënga ka temë tipike dashurie”, thekson Linda për Panorama plus, e cila këtë vit nuk do të ketë mundësi të vizitojë vendlindjen për shkak të angazhimeve atje.

“Tashmë kam vendosur të jetoj këtu, ndërsa për vizitën në Kosovë nuk kam menduar ende, sepse jam shumë e angazhuar me punë. Ajo që mund të them është se këtë vit nuk mund ta vizitoj Kosovën, por familja ime do të jetë këtu gjatë pushimeve të verës. Natyrisht që ndiej mall për vendin tim, por këtu në Florida jam duke ushtruar dhe zhvilluar krijimtarinë time muzikore. Unë dhe Davon jemi të martuar ligjërisht, dasmën do ta bëjmë sapo të mbaroj punët e tjera e që janë shumë. Dashuria po shkon në mënyrë perfekte. Ai më shtyn edhe më shpejt sesa kam menduar në hapat e karrierës. Në Miami Beach këto ditë të fundit kam dalë shumë pak për të bërë plazh dhe për të shijuar ngrohtësinë e diellit. Por edhe kur dal, nuk qëndroj shumë, sepse më duhet të jem në studio. Ajo që më kënaq tani, është pesha trupore që kam arritur, kam hequr më shumë se 49 kilogramë”, përfundon Linda./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›