Halili: Ju tregoj prapaskenat e TiranësUne kam dhene gati 600 mijë euro. Ngjela ka dhënë rreth 10 milionë lekë (të rinj), ndërsa Papuli ka derdhur një herë 2 milionë e gjysmë lekë (të rinj) dhe një herë 9 mijë euro. Kaq, pjesa tjetër është fin

Leonard Karaj- I qartë, i qetë dhe i prerë në ato që thotë. Sipas tij, ekziston një kontratë e donatorëve firmosur në fillim të sezonit, që duhet respektuar. Por dështimi i radhës së mbledhjes së kryesisë së klubit për shkak të mungesës së donatorëve të tjerë ka nxjerrë në pah një pikë nevralgjike të kësaj kontrate. Presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili, konfirmon se kur një donator nuk respekton kontratën, jo vetëm që nuk quhet më donator i klubit, por humb të drejtën që të jetë i tillë edhe në vitet në vazhdim.
Ndaj mbledhja e radhës, e cila do të caktohet në ditët në vazhdim, sipas tij, do të bëjë edhe diferencat mes atyre që duan të drejtojnë klubin sipas rregullave të vendosura nga kryesia dhe atyre që në një farë mënyre do të përjashtojnë vetveten nga drejtimi i klubit jo vetëm për këtë sezon, por edhe në vitet e ardhshme. “Kryesia ka kërkuar që t’u jepet edhe një mundësi donatorëve, në të kundërt ata përjashtojnë veten e tyre nga drejtimi i klubit”, konfirmon Halili në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”. Më tej presidenti bardheblu ka treguar edhe shumën e parave që ka derdhur secili donator për këtë sezon.
Z. Halili, a mund të na thoni se përse dështoi sërish mbledhja e kryesisë së klubit?
E thjesht. Asnjë nga donatorët, përveç meje, nuk erdhën në këtë mbledhje edhe pse theksoj se më parë kishin deklaruar se nuk do të mungonin absolutisht.
Atëherë ç’do të bëhet tani?
Do t’u bëhet edhe një tjetër njoftim i fundit donatorëve Nuri dhe Papuli, që të respektojnë kontratën, në mënyrë që ne të kemi mundësi të punojmë si më parë.
Pra nuk do të ketë një thirrje të asamblesë?
Jo, nuk është e nevojshme. Dua të theksoj, se klubi i Tiranës nuk është në krizë financiare. Unë e kam deklaruar edhe më parë, se për këtë vit që klubin e drejtoj unë si president, Tirana nuk ka për të pasur probleme financiare në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë. Por problemi është gjetkë, jo te financat.
Ku atëherë?
Në fillim të sezonit u vendos që klubi të drejtohej nga një president i vetëm me rotacion dhe që tre të tjerët të merrnin pjesë si donatorë, duke derdhur në arkën e klubit 25% që u takonte dhe kështu me radhë, vit pas viti. Kjo kontratë u nënshkrua nga tre donatorë, nga unë, znj. Ngjela dhe Agron Papuli, duke u angazhuar që do të vazhdonin që të ishin pjesë drejtuese e klubit me financimet e tyre. Ndërsa donatori Nuri nuk pranoi të firmoste duke pohuar se do të financonte vetëm kur të ishte ai president i klubit.
Sa para kanë dhënë Ngjela e Papuli për këtë sezon?
Nuk jam shumë i sigurt për këto gjëra, pasi duhen parë në klub, por mesa di unë, Ngjela ka dhënë rreth 10 milionë lekë (të rinj), ndërsa Papuli ka derdhur një herë 2 milionë e gjysmë lekë (të rinj) dhe një herë 9 mijë euro. Kaq, pjesa tjetër është financuar nga unë.
Sa është kjo shumë?
Kam përshtypjen se e kalon 500 mijë euro, gati 600 mijë euro.
Pse nuk paguajnë donatorët e tjerë sipas jush?
Mendoj se hileja qëndron në privatizimin e klubit. Me ligjin e ri që ka nxjerrë qeveria, mendohet se Tirana do të mund të privatizohet në fillim të sezonit tjetër. Vetëm në atë rast ata mendojnë se paratë do te kenë më shumë vlerë. Por unë nuk kam ndërmend ta lejoj një gjë të tillë. Ka një kontratë në klub e firmosur nga donatorët, e cila duhet ndjekur me përpikëmëri.
Çfarë ndodh nëse një donator nuk i bindet në një farë mënyre kësaj kontrate?
Shiko, ligjet nuk i bëjmë ne donatorët, por janë vendosur nga kryesia. Kur një donator nuk respekton kontratën, jo vetëm që nuk quhet më donator i Tiranës, por humb të drejtën të jetë donator edhe për vitet e ardhshme. Ky ka qenë një vendim i kryesisë dhe jo i imi. Ata në rast se nuk duan të derdhin detyrimet, të njoftojnë largimin nga drejtimi i klubit dhe kaq. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu. Është e çuditshme sepse ata dinë mirë të bëjnë biznes, por kur vjen puna për të respektuar kontratat, bëjnë sikur nuk i njohin ligjet ose i injorojnë.
Çfarë pritet të ndodhë tani?
Kryesia e klubit ka kërkuar që t’u jepet edhe një mundësi për një mbledhje tjetër, e cila do të caktohet në ditët në vazhdim. Në rast se donatorët përgjigjen negativisht, do të thotë se ata kanë përjashtuar në një farë mënyrë vetë veten e tyre nga drejtimi i klubit. Pra është në dorë të tyre paraqitja ose jo.
Bashkia është pronarja de facto e Tiranës, cili ka qenë reagimi gjatë këtyre përplasjeve mes donatorëve?
Personalisht mendoj se bashkia duhet të ndikojë më shumë tek donatorët, që ata të ndjekin me përpikëmëri rregullat e lojës. Me këtë nuk dua të them se nuk ka pasur asnjë përpjekje, por duhet një angazhim më i madh, me qëllim që të mos tallemi më me tifozët dhe mediat. I thërrasim për konferencë për shtyp sepse do të kemi mbledhje dhe në fund... nuk kemi ç’të komentojmë, pasi dështimi i mbledhjes flet vetë.
Marre nga Gazeta “Tirana Observer”
E Enjte, 22 Janar 2009