'> PS-ja krijon bordin ekonomik
Partia Socialiste krijon një strukturë të re brenda saj, të quajtur Bordi Ekonomik, i cili do të merret me treguesit makroekonomik dhe do të monitorojë punën e qeverisë, kur sipas socialistëve vendi pritet të vuajë pasojat e një krize ekonomike si pasoje e keqqeverisjes. Në tryezën e organizuar me ekspertet më të mirë të ekonomisë në selinë rozë, kryetari i partisë Socialiste Edi Rama , duke bërë një panoramë të zymtë të situatës aktuale ekonomike, akuzoi ekzekutivin për mosmbajtje premtimesh, për mungesë transparence dhe manipulim shifrash. Ish guvernatori Shkelqim Cani tha se ekonomia po vuan për shkak të paaftësisë së qeverisë dhe kapjes së shtetit. Ai sqaroi se bankat kanë humbje për shkak të rënies së kreditimit dhe humbjes së lekut në treg, papunësia është ne rritje dhe po shkatërrohen edhe treguesit makroekonomikë , të cilët nëse vazhdojnë në këtë rrugë do t'i japin pasojat pas 2 deri në 5 vjetësh. Sipas deputeteve që referuan në këtë tryeze kriza e ka prekur në qelizë ekonominë shqiptare dhe në vend vazhdon të ketë parametra të çorientuar ekonomike. Kryetar i Këshillit Ekonomik Kombëtar u zgjodh Shkelqim Cani ndërsa sekretar Ervin Bushati. Aksioni politik i Partisë Socialiste sa i takon ekonomisë do të fokusohet tek hetimi parlamentar dhe penal i dy çështjeve kryesore, që lidhen me shitjen e hotel "Dajtit" dhe manipulimin sipas drejtuesve të PS-së, të shifrave të INSTAT. Deputeti Erion Brace, paralajmëroi kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për mënyrën sesi qeveria shiti hotelin tek banka për te mbushur arkën bosh te saj. Ndërsa Ilir Beqja, pasi bëri një rezyme të shifrave të deklaruara nga Instituti i statistikave, hodhi dyshime për manipulimin e tyre.