1 Maji, Ministria e Punës: Papunësia ra me 0,44 për qind

Ministri i Punes, Çeshtjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, Spiro Ksera
Në Ditën e Punëtorëve, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka publikuar një raport në lidhje me papunësinë në vendin tonë. Sipas ministrisë, niveli i papunësisë ka shënuar një rënie të vogël në krahasim me një vit më parë.
Nga 13,7 për qind në vitin 2011, papunësia ka arritur në 13.26 për qind, bën të ditur Ministria e Punës, e cila sheh si kategorinë më të prekur nga ky fenomen të rinjtë.
Ndërkohë, Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ka protestuar sot para godinës së Kryeministrisë, ku përfaqësues të saj kanë theksuar padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, me të cilat përballen punëtorët në të gjithë vendin.
Sindikalistët kanë kërkuar punësim, paga më të larta dhe përmirësim të kushteve të punës. 1 Maji përkujtohet në shumë vend e të botës.
Dita e Punëtorëve, e cila në Shqipëri vitet e fundit është parë si një ditë feste, synon nxitjen e lëvizjeve sindikale dhe vëmendje më të mëdhe ndaj punëtorëve, qoftë të sektorit publik apo atij privat. / G.N.