Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë largohet nga posti

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz dhe do të emërohet për të shërbyer si ambasador në Kombet e Bashkuara, thotë Presidenti Donald Trump. Ai bëri me dije se Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare
“Kam kënaqësinë të njoftoj se do të emëroj Mike Waltz për të qenë ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Që nga koha e tij me uniformë në fushën e betejës, në Kongres dhe, si Këshilltar im i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz ka punuar shumë duke vënë interesat e kombit tonë në radhë të parë. Unë e di që ai do të bëjë të njëjtën gjë në rolin e tij të ri. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, ndërsa do të vazhdojë udhëheqjen e tij të fortë në Departamentin e Shtetit. Së bashku, ne do të vazhdojmë të luftojmë pa u lodhur për ta bërë Amerikën dhe botën përsëri të sigurt. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!“, shkroi Trump.
Dorëheqja e Waltz vjen disa javë pasi mori përgjegjësinë për një bisedë në një grup në Signal, në të cilën zyrtarë të lartë planifikuan sulme ushtarake në Jemen dhe ku një gazetar u shtua pa dashje. Ekipi i Trump minimizoi rreziqet e sigurisë dhe tha se asnjë material i klasifikuar nuk ishte ndarë në bisedë.
Ky është anëtari i parë i lartë i administratës që largohet gjatë mandatit të dytë të Trump.
Skandali në Signal
Në fund të marsit, kryeredaktori i revistës “Atlantic”, Jeffrey Goldberg raportoi se ai u shtua aksidentalisht në një bisedë në Signal nga një përdorues i quajtur Mike Waltz.
Në këtë bisedë ishin zyrtarë të lartë të administratës, si nënpresidenti JD Vance dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.
Goldberg tha se ai pa plane të klasifikuara ushtarake për sulmet amerikane në Jemen, duke përfshirë paketat e armëve, objektivat dhe kohën, dy orë para se të godisnin bombat.
Waltz fillimisht tha se nuk e dinte se si Goldberg u shtua në bisedë, por mori “përgjegjësi të plotë” pasi tha se ishte ai që “krijoi grupin”.
Waltz duket se ishte përpjekur të shtonte një zëdhënës të lartë në bisedën e Signal kur pa dashje shtoi Goldberg në vend të tij. Hetuesit zbuluan se numri i Goldberg ishte ruajtur aksidentalisht në telefonin e Waltz si një kontakt alternativ për zëdhënësin e sigurisë kombëtare, Brian Hughes.
/rtsh.al/