E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 janar 2012, dogana e veshjeve nga 10- % bëhet zero

Çmimet e veshjeve të gatshme në tregun e brendshëm pritet të ulen, pasi qeveria ka pranuar të heqë tarifën doganore për këto produkte. Komisioni Kuvendor i Ekonomisë ka votuar dje nenet e paketës fiskale, ndër të cilat synohet edhe heqja e tarifës doganore për veshjet e gatshme dhe për lëndën e parë tekstile për industrinë fasone në vend. Tarifa doganore me vendet e BE, për veshjet, është aktualisht 10 për qind dhe do të bëhet 0. tarifat e reja doganore hyjnë në fuqi në janar të vitit 2012. Kjo do të thotë se, minimalisht çmimet e veshjeve në tregun e brendshëm pritet të ulen me 12 për qind, duke përfshirë dhe efektin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave shprehen se, kjo ka sjellë një çmim të lartë të veshjeve të gatshme në tregun vendas, duke bërë që mjaft dyqane të shitjes me pakicë që tregtojnë veshje të mbyllen. Sipas të dhënave zyrtare, bizneset e shitjes me pakicë të veshjeve paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore në total ku përfshihet tarifa dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Në të njëjtin draft qeveria parashikon edhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para që importohen nga industria e fasonit, edhe kjo një masë lehtësuese për të stimuluar industrinë e prodhimit të veshjeve në vend. Sipas relacionit të draftit në total, efekti negativ në buxhet i këtyre dy masave pritet të jetë 1.2 miliardë lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›