E Shtunë, 31 Tetor 2026

“10 Shkurti” i “Vetëvendosjes”

Me punën dhe vullnetin e tyre për të dhënë dhe shfaqur ndryshe një realitet të hidhur, sipas tyre, erdhën para tri viteve me një dokumentar. Dokumentari “10 Shkurti”. Është ngjarja e 3 viteve më parë, datë kur mbetën te vdekur Arben Xheladini dhe Mon Balaj, aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”. Këta dy aktivistë humbën jetën gjatë demonstratës së organizuar nga kjo lëvizje.

Ky dokumentar është shfaqur në vende të ndryshme të Kosovës, në Tiranë dhe në Gjenevë. Kësaj radhe filmi u rishfaq në kinemanë “ABC”, në ora 15:00 dhe në lokalin “Hard Rockers”, në ora 21:00.

Ky film dokumentar paraqet përshkrimin dhe shpjegimin për dhunën e ushtruar nga policia e UNMIK-ut, si dhe tregon mënyrën se si institucionet tentuan ta arsyetojnë operacionin policor pas dhunës së ushtruar. Është në pika të shkurtra ky përshkrimi i gjithë asaj që përmban filmi dokumentar në afro 34 minuta sa edhe zgjat.

“Është film-dokumentar i gjithi i punuar nga aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë Marigona Drevinja, pjesë e kësaj lëvizjeje.

Në fakt gjithë puna për këtë dokumentar ka zgjatur rreth një muaj, ku intensivisht është punuar në këtë drejtim. Në mes emrash tjerë, më të angazhuarit e këtij projekti, janë edhe Fatime Kosumi dhe Visar Ymeri.

Sipas Dervinjës filmi dokumentar përmban të gjitha ngjarjet, pamjet dhe deklaratat e asaj që ka ndodhur në 10 shkurt, të marra në arkivin e Vetëvendosjes.

Ky film është i ndarë në disa pjesë: Dita kur ka ndodhur ngjarja, saktësisht demonstrata, pasojat e 10 shkurtit, reagimet nga jashtë, si dhe homazhet në ditën e varrimit të Balës dhe Xheladinit.

“Filmi dokumentar mund të mos jetë i kualitetit shumë të lartë si realizim, mirëpo përmbajta, storia e tij është ajo që thotë shumë”, tha Dervinja .

“10 Shkurti”, gjatë gjithë 34 minutave, përcillet me narracion nga realizuesit e tij dhe është i bërë në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe gjermanisht.

Krahas shfaqjes së këtij filmi këtë ditë u hap edhe një ekspozitë në hollin e sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, e cila do të jetë e hapur prej orës 10:00 deri në ora 18:00. Kjo ekspozitë ka fotografi nga ngjarja 10 shkurt 2007.

“10 Shkurti” është shpallur edhe filmi dokumentar më i mirë i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar “Një Botë”, në vitin 2007.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›