Federico Moccia me Dashuri 14 në shqip
Botimi
Romani vjen pas tri botimeve të mëparshme të autorit
Pas tri romaneve “Tri metra mbi qiell”, “Të dëshiroj”, “Më fal se të dua?!”, vjen në shqip libri “Dashuri 14” nga Federico Moccia. Romani, i përkthyer nga Diana çuli, botohet nga “Dituria” në prag të festës së Shën Valentinit. Në botimin e ri gjen Karolinën, një vajzë 14-vjeçare dhe gjithë botën e saj, eksperiencat e para, ëndrrat e para si vajzë e rritur. Marrëdhëniet me prindërit, vështirësitë në shtëpi, paratë që nuk mjaftojnë kurrë. Dhe pastaj më në fund motorinoja, e arritur pas aq përpjekjesh. Një vëlla më i madh, që ende s’ka gjetur rrugën e tij. Një motër që ka humbur dëshirën për të ëndërruar dhe e zhgënjyer. Por Karolina është e fortë, gazmore dhe plot fantazi. Pastaj, kur je katërmbëdhjetë vjeç, çdo gjë ndryshon me shumë lehtësi! Dhe ja dita e parë e shkollës, një klasë e re dhe një shkollë tjetër. Frikë dhe ndrojtje, dëshira për të qenë e madhe. Mikeshat e reja: ato simpatiket dhe ato antipatiket. Dëshira për të qenë e dashuruar, për të jetuar gjithçka ka dëgjuar nga gjyshja e saj, të cilën e adhuron. Karolina dhe një ëndërr që bëhet realitet.
#