Në kujtim të Injac Zamputtit
Takimi
Mbahet nesër një sesion përkujtimor në Akademinë e Shkencave
Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë i kushtojnë një sesion përkujtimor historianit Injac Zamputti. Nesër, në orën 12:00, në Akademinë e Shkencave do të referohet për kontributet e tij në histori, në krijimtarinë letrare dhe në fushën e studimeve. Seit Mancaku do të flasë për Injac Zamputtin dhe për fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe, Pëllumb Xhufi për kontributin e tij në ndriçimin e historisë së Shqipërisë të shekujve XVI-XVII. Për Injac Zamputtin dhe punën e tij me dokumentacionin për historinë mesjetare të shqiptarëve do të flasë Luan Malltezi, ndërsa Ferit Duka do të sjellë në kujtesë historinë osmane të shqiptarëve në optikën e Injac Zamputtit.Behar Gjoka do të referojë me temën “Gjergj Fishta sipas Injac Zamputtit”, ndërsa Musa Vyshka për veprën e tij letrare. I biri, Jozef Zamputti, vjen nga Italia për të përshëndetur këtë takim përkujtimor, në nder të babait të tij. Në njoftimin për shtyp nuk është theksuar asgjë mbi botimin e plotë të veprës së tij, të përmendur dy vjet më parë. Injac Zamputti lindi më 12 shkurt të vitit 1910 në Shkodër dhe vdiq më 28 shkurt të vitit 1998 në Tivoli të Italisë, ishte publicist dhe shkrimtar shqiptaro-italian.
#