10 bursa për në Turqi
Në kuadrin e “Programit të Madh të Nxënësve”, qeveria e Republikës së Turqisë ofron 10 bursa për nxënësit shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Republikën e Turqisë, për vitin akademik 2009-2010. Aplikantët për këto bursa do t’i nënshtrohen një konkursi që do të zhvillohet në Tiranë më 19 prill 2009 dhe duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
Kriteret
Tri janë kriteret e vendosura nga ambasada turke. Kriteri i parë është që aplikantët të jenë në vitin e fundit të shkollës së mesme ose ta kenë përfunduar atë dhe të kenë lindur pas datës 1 janar 1985. Gjithashtu, kërkohet që të mos kenë humbur të drejtën e bursës (përjashto arsyet shëndetësore dhe të fatkeqësive natyrore), në rast se më parë kanë fituar bursë shtetërore për të studiuar në Turqi, si edhe të jenë të aftë nga ana shëndetësore për studime.
Mënyra e regjistrimit
Kërkesat për regjistrim duhet të bëhen pranë ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, nga data 16 mars deri më 10 prill 2009, duke telefonuar në numrat 2380350, 2380350 dhe 2380353, në orën 10:00 - 12:30, paradite dhe 14:00-16:00, pasdite (me përjashtim të ditës së hënë, të shtunë dhe të diel). Pas fiksimit të orës dhe datës për të plotësuar formularin e aplikimit, aplikanti, kur të shkojë në ambasadë, duhet të ketë me vete një fotografi dhe një dokument identifikimi (pasaportë ose certifikatë të gjendjes civile me fotografi). Dy ditë përpara konkurrimit, aplikantët, duke telefonuar në ambasadë, do të mësojnë vendin se ku do të zhvillohet konkursi.
FDE
Nis projekti “Brain Stand”
Forumi për Demokraci dhe Etikë, në kuadër të fushatës sensibilizuese ''Brain Stand'' për vlerësimin dhe ndërgjegjësimin e trurit shqiptar, organizoi dje në Akademinë “Marubi” një takim me akademikë, profesorë dhe studentë. Drejtori ekzekutiv i FDE-së, Arjan Galdini, tha dje: "Nisma "Brain Stand" ka nisur nga FDE-ja që më 7 mars me dëshirën dhe synimin për të qenë aktorë dhe autorë të një procesi këmbëngulës ndryshimi për vlerësimin dhe lartësimin e trurit shqiptar". Galdini shtoi: "Ka ardhur koha që ne të gjithë së bashku, të ngremë zërin që studentët dhe diplomat shqiptare të vlerësohen, jo nga kartoni, por për shkak të kurrikulave dhe kualitetit që sjellin universitetet shqiptare''. ''Njëkohësisht, edhe mendimi shqiptar dhe kërkimi shkencor shqiptar duhet të ngrihet në një lartësi që ato të gjenerojnë mendime, që Shqipëria të bëhet, pse jo, edhe eksportuese e mendimit dhe e vlerave, duke parë thellë në rrënjët e saj, por edhe duke e ndërthurur me përvojat evropiane, çka do të na çojë në një rrugë të shëndetshme drejt Bashkimit Evropian'', - tha Galdini.