E Diel, 1 Nëntor 2026

Vilsoni, si zanafillë shpirtërore, jo heroi



Nuk është heroi i përmasave epike, kur deri tani disidenca ka zbuluar kompleksin e njerëzve të nënshtruar, që e kanë pranuar këtë si pjesë e spektaklit ku shqiptarët panë për 50 vjet se si heroi nxirrte në mënyrë simbolike ndjesitë e vetëposhtërimit. Ja pse përçmimit intelektual dhe moskuptimit të disidencës, shkrimtari Agron Tufa i përgjigjet në një ditë me promovimin e veprave të Vilson Blloshmit dhe ditëlindjes së tij

Vilsoni, si zanafillë shpirtërore, jo heroi

Vilson Blloshmi nuk është heroi si do të donin shumë prej shqiptarëve të thoshin duke menduar rezistencën ndaj torturave apo duke kërkuar shpjegim nga filozofia e qëndresës. Por kjo po u dëshmon shqiptarëve zanafillën shpirtërore duke injoruar krejtësisht patetizmin se njeriu bëhet i pamposhtur. Nuk është heroi i përmasave epike, kur deri tani disidenca ka zbuluar kompleksin e njerëzve të nënshtruar, që e kanë pranuar këtë si pjesë e spektaklit ku shqiptarët panë për 50 vjet se si heroi nxirrte në mënyrë simbolike ndjesitë e vetëposhtërimit. Ja pse përçmimit intelektual dhe moskuptimit të disidencës, shkrimtari Agron Tufa i përgjigjet në një ditë me promovimin e veprave të Vilson Blloshmit dhe ditëlindjes së tij.

“Besoj se ne duhet të mësohemi se nuk ka vetëm artikulim të disidencës në nivelin e refuzimit të sistemin politik në ardhjen e një sistemi tjetër më të mirë apo më të përmirësuar. Kjo është një kundërvënie që i kundërvihet sistemit, mënyrës se si ushqehet ky sistem, se ushqehet me ata njerëz, u kundërvihet madje dhe njerëzve që prodhojnë këtë përditshmëri dhe pranojnë të identifikohen me të. Krijon një lloj shembulli nëpërmjet alergjisë dhe kjo edukohet jo me fjalime politike, por nëpërmjet artit”. Tufa është entuziast për zbulimin shpirtëror të poezisë së Vilsonit, por edhe si model kundërvënës, duke na kthyer në pemën e letërsisë me emra të paktë të viteve ’70, por që vendosja përfundimtare e hierarkisë letrare është thikë me dy presa: ajo që u zbulua nga SHIK-u ka qenë befasuese që ende mbahet e bllokuar në mos për shantazh, për xhelozi, të njerëzve që ruajnë skutat e institucioneve.

Rituali satanik i kryqëzimit, e quan Tufa, që ndodhi në Shqipëri, nuk ka të ngjashëm me vendin ku u poll komunizmi në Rusi, ndaj duket konfuze ende kur fjala vjen diskutohet për disidencën në Shqipëri. Por pas gjithë kësaj atmosfere, Vilsoni mbetet njeriu që zgjodhi paradigmën e kundërvënies së njeriut të brengosur, ëndërronjës, utopi të së bukurës, e bukura si qëllim në vetvete, që shkak i saj është vetvetja. Dhe është i vetëmjaftueshëm për të qenë vetvetja si kriter artistik dhe filozofik, pra bukuria nuk ka nevojë për gjë tjetër që ta ndihmojë, se është vetë ajo që modelon modelet. Nuk ka asnjë model që ta modelojë të bukurën - ky është i gjithë shpjegimi i Tufës, për të kuptuar arsyet pse jetoi në poezi Vilsoni.

Këtë herë del i plotë profili i Vilson Blloshmit si krijues, poet, përkthyes. Çfarë shënon kjo në pemën e letërsisë shqiptare?

Nëse do të kishte vërtet historianë të letërsisë, ndoshta do të shihnim funksionimin e letërsisë sipas ligjësive të njohura. Por për fat të keq, kjo nuk ekziston, për faj të mekanizmave tanë shkencorë që janë të paktën dy-tre shekuj mbrapa. Këto janë ndërmarrje shumë të mëdha që do të kërkonin njerëz të përgatitur mirë, kur në realitet nuk kanë një mbështetje, organizime dhe stimulime, sepse u mungojnë njerëzve këto elemente. Që të perfeksionosh një autor në letërsi, në një sistem letrar legal është shumë e vështirë. Ne kemi vite që për këtë problem kemi dështuar si me futjen e autorëve të ndaluar, që me ardhjen e komunizmit në pushtet u shpallën të deklasuar, armiq kombëtarë etj., etj., propagandues të fesë; kemi të tjerë që u burgosën u pushkatuan dhe u ndaluan; pastaj janë disa të tjerë të cilët ishin në letërsi, sa patën filluar, por u burgosën dhe u ndaluan të botojnë; të tjerë që u arratisën dhe iu imponuan letërsisë shqipe nga jashtë, por nuk u bënë kurrë fakte letrare dhe fakte studimi, leximi dhe për fat të keq kjo kategori ishte ndoshta më e talentuara, më e zgjuara dhe kishte çfarë të thoshte. Sikundër janë edhe rastet e fundit, ekstremale, të pushkatuarit - sikurse ishte problemi me Trifon Xhagjikën, më vonë me Havzi Nelën dhe tani me dy poetët e tjerë të pushkatuar Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën. Çdo poet kur hyn, kap një nivel, domethënë imponohet me llojin e artit, të atij poetik në këtë rast, krijon një ripozicionim dhe një ndryshim të të gjithë strukturës, pasi sjell një përvojë të vetën, një diksion të vetin, një liri të vetën, të veçantë. Kështu riformatohen të tërë parametrat e letërsisë nacionale, të sistemit poetik në atë vepër.

Thatë që mungojnë mekanizmat dhe njerëzit që ta ribëjnë letërsinë duke përfshirë dhe këtë kategori krijuesish që kanë qenë të ndaluar, të pushkatuar. Rasti i fundit është Vilsoni, prej të cilit tani marrim vesh që SHIK-u është zotëruesi edhe i dosjeve letrare. Me dorëshkrime që dalin befas, për ta nisur punën në ribërjen e letërsisë, a mendoni se tanimë janë zbardhur të gjithë emrat e krijuesve që iu kundërvunë diktaturës?

Kjo vështirësohet në radhë të parë, pasi ne jemi në një rrafsh hamendjesh. Por në hamendje krejt racionale që po vërtetohen, ose siç kemi parë këto vitet e fundit, po na dalin dorëshkrime, që janë shumë të rëndësishme, të cilat paskan qenë dhe ne nuk i paskemi ditur. Dalin poetë të paktën me një pjesë të krijimtarisë. Siç është e paemancipuar vetë shkenca e letërsisë, siç janë problemet e kulturës dhe artit në këtë vend - një kënetë e cila nuk është drenazhuar kurrë me sistemin e kanaleve, tubacioneve që e heqin moçalin, ashtu është edhe letërsia në mënyrën më të posaçme. Deri para pak muajsh nuk dinim se Vilson Blloshmi paska edhe poezi të tjera të pabotuara, edhe përkthime të tjera të panjohura siç ishte dhe rasti i përkthimit të “Zadigut” të Volterit. Po kështu qëndron e vërteta dhe me Genc Lekën. Këtu problemi fillon me hapjen e institucioneve tona që janë bunkerë të fundit, që nuk e njohin rënien e komunizmit nga viti ’90 e këtej.

Në bazë të tyre përdoren për shantazh, për mënyra të ndryshme xhelozie që nuk duan të shfaqen. Pa bërë teori për këtë lloj konspiracioni, ekziston një formacion njerëzish që identifikohen me këto institucione ose njerëzish tërësisht të dështuar që nuk marrin të paktën përsipër një mund shumë të vogël, por fisnik ose të hapin tërësisht se çfarë fshehin në skutat e tyre këto institucione.

Ka qenë një punë këmbëngulëse e Bedri Blloshmit, që ka arritur të sigurojë në mënyrë private të gjitha dorëshkrimet e poetit. Është fjala se nuk ka qenë e lehtë të hysh në arkivat e SHIK-ut, për shkak se mungon legjislacioni për hapjen e dosjeve.

Kjo do të ishte pengesë të zbulohen dhe të tjerë krijues, vepra e të cilëve nuk është botuar kurrë dhe ne akoma nuk e dimë. A ekziston ndonjë nxitje intelektuale në këtë drejtim që të paktën ana letrare, ajo e panjohura e letrave shqipe, të zbulohet?

Për sa u përket disa fushave të veçanta specifike, siç është letërsia, duhet të ushtrohet presion publik inteligjencës shqiptare, i asaj që ne e marrim në mënyrë vulnerable që është inteligjencë. Në radhë në parë duhet bërë presion rretheve shkencore letrare, për arsye se këta nuk kanë për t’u hapur pa qenë përballë një presioni të tillë dhe siç janë çështjet e shoqërisë shqiptare të bllokuara, akoma më fort është e bllokuar letërsia. Ka një faktor që mendoj se përbën një shtat të fortë; e para është hendeku që ndan mentalitetin, idetë dhe shkencën e një palë studiuesve dhe e dyta është prapambetja e thellë e atij formacioni studiuesish që kanë qenë dje dhe sot dhe nuk ka asnjë lloj ndryshimi, asnjë evoluim.

Ekspertizën e Vilsonit dhe Gencit e kanë bërë emra si Koçi Petriti, Myzafer Xhaxhiu apo Diana Çuli. A nuk është kjo kategori emrash që vazhdojnë të bëjnë pedagogun, studiuesin, kritikun, shkrimtarin në letërsi edhe sot, që mund të bllokojnë dhe arkivin e SHIK-ut?

Sigurisht që janë. Por unë nuk mund të hyj në një teori të tillë konspiracioni sepse nuk mund ta them. Nga ana tjetër, fakti që SHIK-u vazhdon të mbajë vepra, qofshin këto gjuhësore, memuaristikë, letërsi, dorëshkrime, poezi etj., kjo është thjesht të mbash peng një epokë të tërë që presupozohet të jetë e lirë, demokratike. Në pikëpamjen e atyre njerëzve që janë gjallë dhe që kanë pjesëmarrës në atë që unë e quajta ritual i kryqëzimit, ne kemi shumë. Janë persona publikë tepër të nderuar dhe nuk ke çfarë u bën. Në fund të fundit që këtu fillon deformimi i pikëvështrimit të të drejtave të njeriut. E drejta e njeriut presupozon dhe të drejtën e kriminelit, kështu që ne hyjmë në një qorrsokak. Ata kanë krijuar imunitetet përkatëse që s’ke çfarë u bën. Është një dava e humbur, që nuk është bërë në kohën kur duhej bërë.

Nga Vilson Bloshmi deri tani janë zbuluar tri blloqe fletoresh me poezi dhe krijimtari të përkthyer. Me aq material letrar sa kemi në dorë, të botuar, që ju thatë në takim se mund të parashikohej një poet i fuqishëm, a mund ta marrim si krijues letrar të përfunduar për t’i dhënë vend në hierarkinë e vlerave poetike, duke kujtuar se Pesoa u bë i famshëm vetëm me një libër poetik?

Do të jem krejt i sinqertë me veten, duke gjykuar se edhe unë me këtë sy e kam lexuar e stërlexuar duke u përpjekur t’i caktoj në kokën time hierarkinë e vlerave poetike, një pozicionim. Po këtu hyjnë disa faktorë që na pengojnë ta themi këtë.

Ai mbetet një herë poet, siç e lexojmë sot, mbetet një zë origjinal, një lirik i hollë, i nginjur, plot asosacione verbale nga kultura botërore dhe shqiptare, ka një ndjeshmëri krejt origjinale. Janë poezi të një faze me magjepsje nga romantizmi, dhe krijimi i një personaliteti të kohës në poezi - me regjistër të ndryshëm, stilistikë, diksion zëri, forma, një shprishje si të thuash e klasicizmit dhe romantizmit drejt modernizmit, që shfaqet me mendime të papërfunduara, me struktura të papërfunduara të vjershës, rimës që nuk janë rima, me kadenca të fuqishme, duke i lënë gjithnjë e më tepër udhë mendimit. Në tërësi, me kaq poezi sa kemi, se quaj poezi dhe shqipërimet që janë shumë autentike, për të cilat duhet një diskurs i veçantë, mendoj se Vilsoni ka krijuar me një libër një vend tepër të nderuar, që nuk e ka luksin ta ketë kush tjetër në poezinë shqipe.

Me botimin e plotë të dy vëllimeve, a na vjen modeli i pastër i disidencës, a do mund ta vendosim Vilson Blloshmin, si referencë, si mundësi për të reflektuar mbi këtë term?

Duhet të sqarojmë njëherë e mirë se çfarë është disidenca, pasi gjithmonë nuk është sqaruar. Disidenca, ashtu siç e kuptojmë ne sot, është përdorur për herë të parë në vitet ’60, kur nga kampi komunist, një pjesë e shkrimtarëve, që bënin pjesë në këtë sistem, nga brenda e refuzuan këtë, duke kërkuar liberalizime dhe më shumë hapësirë. Pra, me disidencë nuk është kundërvënie për zhdukjen e regjimit, siç është në termin klasik, por është për ta moderuar sistemin nga brenda. Dhe kjo pastaj filloi të ndërkombëtarizohet, kryesisht, me atë lloj kontrakulture që ndodhi në BRSS, me ata shkrimtarë të cilët nuk u lejuan të botoheshin dhe qarkulluan veprat e tyre me vetëbotim. Këta patën një lexueshmëri fantastike dhe me miliona qarkullonin dorë më dorë. Nisur nga kjo referencë, ne, në këtë rast, kemi më shumë sesa disidencë. Sepse në këtë rast kemi kundërvënie ndaj sistemit politik, ideologjik nëpërmjet krijimtarisë artistike. Nëse me Kasem Trebeshinën kemi një promemorie që është e drejtuar si politikisht dhe artistikisht, me kundërmodelin tërësisht tjetër, me Vilsonin kemi një alergji të përgjithshme. Është model krejt tjetër. Ai nuk kërkon t’i përkushtohet një personi që është simbol i asaj përditshmërie apo një reference. Madje te Vilsoni nuk kemi në krijimtari as për luftën dhe politikën. Ai sikur zgjodhi paradigmën e kundërvënies së njeriut të brengosur, ëndërronjës, utopi të së bukurës, e bukura si qëllim në vetvete, që shkak i saj është vetvetja. Dhe është i vetëmjaftueshëm për të qenë vetvetja si kriter artistik dhe filozofik, pra bukuria nuk ka nevojë për gjë tjetër që ta ndihmojë, se është vetë ajo që modelon modelet. Nuk ka asnjë model që ta modelojë të bukurën.

A mund të kemi një referencë më të qartë se çfarë ishte kundërvënia e intelektualëve, krijuesve, në Shqipëri ndaj sistemit komunist? Sa ngjante kjo me eksperiencën bolshevike?

Disidenca e viteve ’20 apo ’30, po ashtu dhe pas Luftës së Dytë Botërore në kulturat ruse dhe ato lindore ka qenë një fenomen që sigurisht ka kushtuar dhe me tragjedia. Por as që mund të bëhet fjalë me stalinizmin e variantit shqiptar. Siç e thashë janë të shumtë disidentë të Polonisë, Rusisë dhe kampit ish-komunist të cilët përziheshin, dëboheshin ku fillonte një paradigmë e poetit apo mendimtarit syrgjyn; ju të kini parasysh që vetëm në sistemin më të egër stalinist në vitin 1922, pasi triumfon bolshevizmi dhe shpartallohet ushtria e bardhë, dhe vendoset diktatura leniniste, kemi në mënyrë alegorike anijen e famshme në Portin e Odesës kur pushteti bolshevik mblodhi 200 mendimtarë e filozofë dhe i përzuri me ceremoni nga BRSS-ja.

Shkrimtarët më të njohur rus, sidomos Solzhenjici e duke kulmuar me Brodskin, u dëbuan edhe pasi kishin qenë të burgosur, pasi kishin dalë në gjyqe, pasi kishin treguar një forcë të palëkundur karakteri që nuk e llogaritnin jetën në kundërvënien e tyre. Atëherë si veproi regjimi? Nuk i pushkatoi si në ’77-n në Shqipëri, por i përzinte, ky ishte rregulli i artë, tjetërmendues, jo si ky i yni; shko në botën tënde perëndimore dhe bëj çfarë të duash dhe vërtet Brodski shkoi dhe mori çmimin “Nobel”. Ku do shkonte më bukur. Tek ne pasi bëheshe shembull shoqëror, familjar, dënimi pasi zgjatej e zgjatej duke u kryer tamam rituali satanist i kryqëzimit, pastaj fillonin përndjekjet e të afërmve, të fëmijëve të tyre e me radhë të të gjithë brezave - ku dhe fatkeqësia do të thoshte një logjikë terrori, si p.sh. në atë vend që ka lindur një bilbil, të mos lindin më zogj të tjerë këngëtarë. Ideja është që në një familje shkrimtari, poeti të persekutuar, do të ndiqeshin me breza të tërë që të mos ngrinte kokë apo të mbetej tjetërkush.

A mendoni, ashtu siç qarkullon, se poezia “Saharaja” është kryevepra e Vilson Blloshmit?

Për mua jo. Për mua gjërat shihen në sistem, nga tërë formacioni poetik, nga poezia në poezi, nga vargu në varg etj. Ajo më tepër është gjykuar kështu sepse ka pak më shumë simbolikë. Por nuk besoj se edhe Vilsoni vetë e kishte si model. Tendenca ishte, si një poezi pure, midis parnasianëve - artit të kulluar të së bukurës, të artit për art, të Teofil Gotjesë, të cilin e donte shumë - dhe botëvështrimit të realiteteve si gjë në kalbëzim dhe fermentim të vazhdueshëm, që është si poetika e Bodlerit. Dhe më vonë në poetë të tillë si Malarme etj. ai rrekej dhe punonte shumë për të krijuar një estetikë krejt vetjake personale, pasi kishte guxuar tashmë se nuk mund të shpresonte jashtë ndërmarrjeve të veta private. Besoj se këtë po arrinte, ishte një urë ndërmjetëse dhe kjo është fatkeqësia se ky sistem i ndërpreu dhunshëm, m’u në pikën që ky po hapej dhe po tregonte tërë energjitë dhe produktivitetin e vet.

A është ky modeli më i mirë që kemi deri tani si shkollë për të zbuluar krijimtari e autorë të panjohur, të ndaluar, pushkatuar, siç është botimi që na ka dhënë Sadik Bejko për Vilson Blloshmin? Kemi parë dhe një botim të financuar po nga Ministria e Kulturës për Havzi Nelën...

Vilson Blloshmi pati fat, sepse me mjetet shprehëse dhe instrumentet e një poeti mund të flasë vetëm një poet. Sadik Bejko ka përmbushur një detyrë më shumë se qytetare, ka përmbushur pengun e një sivëllai të penës. Ai, po ta shohësh, dhe në mënyrën e narracionit ka një trajtë vetërrëfimore sikur flet vetë Vilsoni. Ai ka mundur të depërtojë në lëkurën e gjërave që kanë qenë të shtrenjta për poetin, të ftojë sa mundet në botën e tij dhe ta kuptojë në mënyrë organike gjithë botën dhe prirjet e Vilsonit. Besoj se kjo ka qenë realizimi më i mirë, përfaqësimi më i mirë që i është bërë një poeti që nuk dinim që ekzistonte. Nëse do të ndiqej në mënyrë të tillë servirja e poetëve të konstatuar, kjo do të ishte nota më fisnike dhe më produktive. Por, ne shohim shpeshherë se ka një prurje të shpifur intelektuale midis shkrimtarëve dhe studiuesve që e shohin menjëherë si pronë, që bashkë me zbulimin nxjerrin veten nga anonimati, është psikologjikisht - të vepruarit e një prone, një zone. Kemi botues që ndonjëherë bllokojnë për shembull këtë shkrimtar apo një tjetër, që kacavirren për t’i shpëtuar anonimatit. Kjo ka bërë që shumë vepra apo autorë të mos kenë një prezantues delikat, që të mos duket vetë. Se misioni ky është: të nxjerrësh nga mosnjohja, nga harresa një poet që ka vlera që vetëdëshmojnë. Shpeshherë kemi parathënie që ta mërzisin leximin e librit. Si duket, Sadik Bejko qe një njeri me ekuilibër që shënoi edhe vetë fatin e botimit të veprave të Vilsonit.

Janë referuese këto botime mbi të cilat ju mund të nisni një punim për veprën e Vilsonit?

Sigurisht, madje do të thosha si referenca, sepse poezia e Vilsonit është një referencë për çdo antologji. Është turp që asnjë antologji shqipe brenda dhe jashtë të mos e ketë. Ne e dimë shumë mirë se si ishte niveli i poezisë në vitet ’70. Po ta vendosësh në atë rrafsh kohor krahasues, asnjë poet nuk mund të krahasohet me Vilsonin. Janë në nivele të ndryshme, ka pasur poezi të një niveli, por kanë qenë gjysmë të ndaluara. Marrim rastin e Frederik Rreshpjes që ka shkruar në të njëjtën kohë apo Sadik Bejkon që ka pasur të ndaluar vetëm një vëllim, “Rrënjët”. Në qoftë se llogarisim disa arritje në vitet ’70, janë shumë pak emra, përveç atyre që diheshin, do krijohej një lloj sistem jorutinor me peizazhin e poezisë shqipe, i cili nuk është në kuptimin e shpalosjes sesa në kuptimin e aftësisë së mjeteve shprehëse, në aspektin gjuhë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›