Shqiptarët, kurrë më tepër të përçarë
Nga Xhoana M. Perkaj
Ku është vendi i Malësisë?
Tërmeti më i madh ka ndodhur në Malësi pas shembjes së Alternativës Shqiptare, partisë më të fortë në zgjedhjet e 2006-s, me 2600 vota. Pas shembjes së ASH-së, të dy rrymat insistojnë se janë bartëse të emrit dhe idesë së ASH-së burimore. Dy lista: në një anë është lista e koalicionit “Perspektiva” (pjesa e ish-ASH-së në koalicion me disa subjekte politike minore nga Ulqini) dhe në anën tjetër, koalicioni i partisë e cila ka vazhduar ta mbajë këtë emër (ASH), në aleancë parazgjedhore me Lidhjen Demokratike dhe Listën për Tuzin. Në zgjedhjet e ardhshme këto do të jenë kundërshtarë të drejtpërdrejtë.
Cili është vendi i Malësisë në këto zgjedhje? Duhet të konstatoj se gjendja duket e mjerueshme. Çka nuk është në rregull këtu? Një krah i ish-anëtarëve të Këshillit Qendror të ASH-së gjendet në listën e “Perspektivës”. Lideri i deritashëm i Alternativës Shqiptare dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj, gjendet i dyti në këtë listë zgjedhore, pas Amir Hollajt. Kur e kam parë për të paren herë në media këtë listë, nuk kam mundur ta përmbaj përshtypjen shokuese. Sepse, është nonsens që Sinishtaj, i cili duke i prirë listës së ASH-së në zgjedhjet e shtatorit 2006, ka marrë 2600 vota, jo vetëm që ka hyrë në aleancë parazgjedhore me subjekte politike anonime, por është i dyti në listë. Është vështirë që në mesin tonë të vogël të shkruash për peshën politike të personaliteteve, sepse rrezikon që kjo të keqkuptohet nga politikanët tanë të cilët ushtrojnë një profesion publik, ndërsa në anën tjetër, nuk durojnë kritikë, por fakt është se ish-lideri i ASH-së, Sinishtaj, nuk ka guxuar ta devalvojë veten duke hyrë i dyti në listë pas personit i cili nuk ka peshë të rëndësishme si faktor politik. As krahu tjetër i Alternativës burimore, me bartësin e listës, Nik Gjeloshajn, nuk del në zgjedhje në mënyrë të pavarur, por në aleancë me Lidhjen Demokratike.
A mund të ishte evituar kjo situatë?
Natyrisht që po. Kur në një parti paraqiten fraksionet e papajtueshme, nga këto fraksione formohen partitë e reja. Sepse, është vetëm humbje kohe dhe derdhje e kotë e energjisë nëse problemet fshihen dhe realiteti zbukurohet para opinionit të gjerë për ta krijuar përshtypjen se çdo gjë është në rregull. Ky është mentaliteti mesjetar lindor i cili duhet braktisur njëherë e përgjithmonë. Sa më herët që identifikohet problemi, është më mirë për vetë subjektin (subjektet) politike. Kështu, së paku, ndodh në vendet e demokracisë qytetare. Në vend të kësaj ka ndodhur që kapaciteti politik i cili është akumuluar në ASH, si fituese të zgjedhjeve lokale të 2006-s, të shteret në rrymime brenda partisë. Cilat do të jenë pasojat e kësaj shterjeje, do të tregojnë zgjedhjet e ardhshme.
Koalicioni brenda Malësisë?
Të kishte ekzistuar një mençuri politike, sot mund të ekzistonte në Malësi një koalicion i fortë, i përbërë nga dy subjekte më të forta politike, në këtë trevë, ASH dhe UDSH. Nuk do të kishte qenë e nevojshme që ky të ishte doemos koalicion parazgjedhor. Por, mundur të ishte punuar konkretisht në drejtim të një vizioni të ardhshëm për ardhmërinë e Malësisë prosperuese dhe proevropiane. Nuk është dashur këtu të kihet frikë nga profilet specifike të secilës prej këtyre dy partive, sepse kudo në botë, subjektet politike i kanë identitetet e tyre politike me të cilat veçohen nga njëri-tjetri, por kjo nuk u pengon që të kenë relacione normale dhe të hyjnë në koalicione të qëndrueshme, sepse punojnë për të mirën e përbashkët. A nuk mund të arrihej një gjë e tillë edhe në një trevë të vogël, siç është Malësia?