E Hënë, 2 Nëntor 2026

10-ditëshi i fundit i Ramazanit, numër i lartë vizitorësh në xhaminë e Namazgjasë

Në xhaminë e Namazgjasë, ky është Ramazani i parë për qindra besimtarë myslimanë, të cilët i drejtohen kësaj faltoreje pak muaj nga inaugurimi i saj.

Ndërsa, muaji i Ramazanit është drejt fundit, myftiu i Tiranës, imami Gazment Teqja, tregon rëndësinë që ka kjo periudhë.

“Gjithë muaji mori vlerë nga zbritja e Kuranit, pra nga komunikimi që bëri Zoti me njerëzimin. Ne themi ‘Ramazan i pranuar është ai Ramazan që e bën njeriun të vazhdojë reflektimin për mirë edhe pas Ramazanit’,” shprehet imami Teqja.

Nata e Kadrit shënon një tjetër pikë kulmore të këtij muaji të begatë për besimtarët myslimanë në 10-ditëshin e fundit.

“Në një nga këto net është Nata e Kadrit, ku ndahet fati dhe mirësia e gjithsecilit për vitin që vjen. Ndodh natën e së mërkurës duke u gdhirë e enjtja,” tregon myftiu i Tiranës.

Me caktimin e tij në krye të xhamisë së Namazgjasë, imami flet për përjetimet që ndjeu.

“U surprizova natën e parë, sepse mendova që duke qenë se xhamia është e madhe… Por për Zotin, kur erdha për lutjet në 13:30 ishte diçka vërtet emocionuese,” thotë imami i xhamisë së Namazgjasë.

Xhamia është e hapur për të gjithë besimtarët, por jo vetëm, pasi imami Teqja thotë se vizitohet nga turistë të shumtë.

Ndërkohë falja e madhe e Bajramit do të mbahet në sheshin “Skënderbej”.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›