E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 humbësit e medhenje te fazes se pare

/* */

Dash FRASHËRI - Faza e parë e sezonit 2011-2012 të Kategorisë Superiore, me 131 ndeshjet e saj (nuk u luajt vetëm Skënderbeu-Pogradeci, e shtyrë për shkak të terrenit të rënduar) prodhoi surpriza (kryesimi befasues, por i merituar i Teutës), por dhe dështime (kriza e thellë e Dinamos). Gazeta “Telegraf” paraqet për lexuesit e saj “10 fituesit dhe 10 humbësit” e fazës së parë.

HUMBËSIT

1 - DINAMO - Skuadra e dytë më i titulluar në Shqipëri – 18 hërë kampion dhe 13 herë fitues i Kupës – ndodhet në momentin më të vështirë të saj 61 vjeçare, qysh kur klubi “blu” u themelua në vitin 1950. Dinamo, së fundi kampione e sezonit 2009-2010, ndodhet në një krizë të thellë financiare, e mbylli fazën e parë në kuotën e 1 pikëve, kjo dhe për shkak se u penalizua nga FIFA me zbritjen e 3 pikëve, për shkak të mospagimit të lojtarit kroat Dario Budrisiç. E vetmja skuadër, e cila nuk arriti të shijojë fitoren në 13 ndeshje të luajtura. Është kandidatja kryesore për të rënë në të Parën e të ndjekë rrugën e Partizanit.

2 – PIKËT - Ekipet e dënuara me heqjen e pikëve në këtë fazë të parë janë tre, një me vendim të FIFA-s dhe dy me dënime nga Komisioni i Disiplinës të Federatës Shqiptare të Futbollit. Dinamos iu zbritën tri pikë nga FIFA, për shkak të mospagimit e të lojtarit kroat Dario Bodrusiç. Laçi u ndëshkua me heqjen e gjashtë pikëve nga Komisioni i Disiplinë, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini. Edhe Pogradeci u ndëshkua me zbritjen e tri pikëve nga Disiplina, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Enea Jorgji. Gjithsej, numërohen gjashtë raste kur një ekipi të Superligës i janë hequr pikë me vendime disiplinore.

3 – APOLONIA – Në letër, Apolonia prezantohet si ekipi model për nga organizimi, por rezultatatet e 13 javëve të para japin përshtypjen e kundërt, e një skuadre totalisht në krizë. Është formacioni që ka pësuar më shumë gola, 25 të tillë, ose 1.97 gola për ndeshje, e për më tepër humbjet në shtëpi i ka pësuar edhe me 5, 4 apo 3 gola, duke regjistruar pesë humbje në shtatë ndeshje në shtëpi dhe pesë humbje rresht në javët e fundit. Ka diferencën më të madhe negative të golave: -14 dhe, nëse kampionati do të mbyllej tani, do të zbriste direkt në Kategorinë e Parë.
4 – XHAFAJ - Sulmuesi Daniel Xhafaj fitoi “Këpucën e Artë” të sezonit 2010-2011. Vlonjati shënoi 18 gola me fanellën e Flamurtarit, duke triumfuar për herë të dytë, pasi më parë e kishte koleksionuar trofeun e çmuar individual edhe në sezonin 2009-2010, kur Xhafaj luante me Besën e Kavajës, duke shënuar po 18 gola. Por, në këtë fazë të parë, por 34-vjeçari Daniel Xhafaj, lojtari më i paguar te Skënderbeu, nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm: vetëm 3 gola në 11 ndeshje të aktivizuara, ose 8 më pak se Roland Dervishi (Shkumbini) i vendit të parë. Janë 16 lojtarë, të cilët kanë shënuar më shumë se Danieli.

5 – TRAJNERËT - Në 13 javët e parë të këtij edicioni të Kategorisë Superiore (2011-2012) janë ndryshuar bankinat e gjashtë ekipeve nga 14 skuadra: Skënderbeu, Tomori, Vllaznia, Dinamo, Flamurtari dhe Laçi. Gjithsej, duke marrë në konsideratë edhe trajnerët e përkohshëm, kanë drejtuar 14 ekipet 22 trajnerë. Më shumë trajnerë e kanë drejtuar Vllazninë: 3 (Mirel Josa, Elvis Plori dhe Rudi Vata). Nga tre trajnerët e huaj, vetëm spanjolli Hulian Rubio i Tiranës dhe kosovaro-turku Naxhi Shensoj i Bylisit, e kanë nisur nga fillimi; çeku Stanislav Levi erdhi te Skënderbeu mbërriti në Korçë në javën e 5-të.  

6 – TË HUAJT – Shumë prej tyre kanë ardhur me bujë, por kanë ikur thuajse fshehurazi, ose i kanë përjashtuar nga skuadra për thyerje disiplinore apo arsye të ndryshme. Të tillë janë bullgari Dragomir Draganov i Flamurtarit, boshnjaku Vlado Markoviç i Teutës, Xhanuari Ziambo i Kamzës, brazilianët Denis Silva dhe Genivaldo Souza të Bylisit. Tirana largoi Mahmud Al-Ajmin, Xhejms Situmën dhe Moses Aritën, ndërkohë që pritet të largohet Kamerun Heple. Skënderbeu ka larguar Altin Gërboviçin dhe Admir Sulejmanoviçin. Priten të largohen edhe Butrint Vishaj i Kastriotit.7 – PRESIDENTËT – Ky sezon ka parë tre raste dënimesh të presidentëve të të skuadrave. Kështu, donatori i Tiranës, Refik Halili dhe presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, u dënuan për me nga tetë ndeshje për të mos qenë të pranishëm pranë ekipeve të tyre gjatë ndeshjeve. Me dy vjet u dënua presidenti i Laçit, Pashk Laskaj, pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini.  Me pezullim tetë ndeshje u dënua edhe qytetari (deputet) Dashnor Sula. I pezulluar për thyerje të etikës sportive është dhe trajneri i Apolonisë, Stavri Nica, por dhe disa zëvendëstrajnerë.

8 – EGBO – Nigeriani Emanuel Egbo është portieri më i dobët i kampionatit shqiptar. Në fakt, ai është aktivizuar vetëm në gjashtë nga 13 ndeshjet e fazës së parë, pasi në shtatë të tjerat ka luajtur Stiv Frashëri. Në pesë ndeshjet e tij, Egbo ka bërë gafat e zakonshme, ku më flagrantët janë ata në humbjet me Teutën dhe Kastrioti. 38-vjeçari Egbo, i cili gjatë karrierës së tij shqiptar ka luajtur me Tiranën, ka pësuar tetë nga 23 golat e Bylisit, por mënyra sesi i ka pësuar shpeshherë ka qenë shumë qesharake.

9 – BICAJ -  Mbrojtësi i Skënderbeut ka qenë një dështim për këtë fazë të parë. Lezhjani Ditmar Bicaj, përveçse ka qenë nën nivelin e kolegëve të tjerë, e la skuadrën në baltë duke u dënuar nga Komisioni i Disiplinës për gjestin në sfidën me Flamurtarin, ku u nxor me karton të kuq pasi pështyu zyrtarin e klubit kundërshtar, Përparim Lushaj, duke u dënuar me tetë ndeshje, por dënimi iu zbrit pasi pagoi një dëmshpërblim në arkën e FSHF-së. 22-vjeçari Bicaj, i cili ka veshur edhe fanellën e Kombëtares U-21 dhe ka luajtur në Bullgari është aktivizuar në tetë nga 13 ndeshjet e fazës së parë.

10 – DHUNA – Thuajse ka qenë e pranishme në çdo stadium, pavarësisht përmasave të saj, ku shpesh ka qenë e formës virtuale me presione psikologjike, dhe në disa raste ka qenë edhe e formës konkrete fizike. Më shumë e kanë pësuar gjyqtarët (me ekstremet janë janë ato ndaj Lorenc Jeminit në Laç dhe Enea Jorgjit në Pogradec), por dhe vetë “xhaketat e zeza” kanë rezultuar protagonistë me vendimet e diskutueshme të tyre, pavarësisht se janë më të paanshëm se një sezon më parë dhe gabojnë më pak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›