E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 fituesit e medhenj te fazes se pare

/* */

Dash FRASHËRI - Faza e parë e sezonit 2011-2012 të Kategorisë Superiore, me 131 ndeshjet e saj (nuk u luajt vetëm Skënderbeu-Pogradeci, e shtyrë për shkak të terrenit të rënduar) prodhoi surpriza (kryesimi befasues, por i merituar i Teutës), por dhe dështime (kriza e thellë e Dinamos). Gazeta “Telegraf” paraqet për lexuesit e saj “10 fituesit dhe 10 humbësit” e fazës së parë.

FITUESIT

1- TEUTA – Kampione e dimrit. Me pesë pikë më shumë se Tirana. Befasuese. Një interpretuese e shkëlqyer e fazës së parë. Suksesi durrsak nisi qysh në javën e parë, me atë fitore 1-0 në “Qemal Stafa”, kundër rekordmenëve të Shqipërisë. Teuta ka fituar vetëm një kampionat, atë në sezonin 1994-1995. Atëherë në stol ishte Shyqyri Ballgjini, sot në stol është Hasan Lika. Por, njeriu që i lidh të dyja skuadrat është Gentian Begeja. Në 1995-n një lojtar, tani në 2011-n një zëvendëstrajner. Shifrat e fazës së parë janë entuziaste: 10 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, 35 pikë.

2 - LIKA – Më i miri nga 14 nga trajnerët e 14 skuadrave të Kategorisë Superiore. Hasan Lika trashëgoi një Teutë, që sezonin e kaluar luftoi fort për të siguruar mbijetesën (e mbylli në vendin e 7-të me 42 pikë në 33 ndeshje, po aq sa Shkumbini i venditë të 9-të), ndërkohë që këtë sezon “djemtë e detit” falë edhe punës serioze të Likës kanë grumbulluar në 13 ndeshje, 32 pikë. Lika mposhti konkurrencën e tre trajnerëve të huaj: spanjollit Rubio të Tiranës (fitoi 1-0), çekun Stanislav Levit të  Skënderbeut (barazoi 0-0) dhe kosovaro-turkun Naxhi Shensoj të Bylisit (fitoi 1-0).

3 - DERVISHI - Mesfushori i Shkumbinit të Peqinit, Roland Dervishi (29 vjeç), shënoi 11 gola në 12 ndeshjet e tij në fazën e parë, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve të Kategorisë Superiore, për sezonin 2011-2012. Kapiteni peqinas vendosi dhe një rekord këtë sezon, pasi shënoi pesë gola brenda një ndeshjeje, pikërisht në fitoren 6-2 të Shkumbinit ndaj Tomorit. Pas Dervishit, me nga 9 gola renditen Brus Inkango (Kastrioti, i huaji më i mirë), Xhevair Sukaj (Vllaznia) dhe Dimo (Bylis). Sezonin e kaluar, Daniel Xhafaj e fitoi “Këpucën e artë” me 18 gola.4 - VAJUSHI – Sulmuesi 20-vjeçar i Vllaznisë, Armando Vajushi, u votua nga trajnerët dhe kapitenët e 14 skuadrave, si lojtari më i mirë i vitit 2011 i kampionatit shqiptar. Një trofe shumë i rëndësishëm në planin individual për kapitenin e Kombëtares U-21. Vajushi këtë sezon ka shënuar 5 gola, tejet të rëndësishëm, por nga të gjithë vlerësohet si një futbollist me të ardhme. Në listën e ekipeve që e kërkojnë janë klube gjermane, turke, kroate, greke, qipriote, zvicerane, ukrainase, franceze dhe spanjolle. I duhet të bëjë zgjedhjen e duhur.

5 - INKANGO - Sulmuesi i Kastriotit, Brus Inkango, është i vetmi futbollist francez që luan në kampionatin shqiptar. 27-vjeçari ka shënuar nëntë gola në gjashtë ndeshjet e këtij sezoni, duke qenë golashënuesi më i mirë i huaj në Kategorinë Superiore. Ka shënuar vetëm një gol me penallti, ndërkohë që pesë herë ka realizuar golin e parë të ndeshjes. I dyti i huaj, përsa u përket golave të realizuar është kosovari i Pogradecit, Isa Eminhazeri: 4 gola. Me nga 3 gola janë shqiptarët nga Maqedonia, Nijaz Lena (Flamurtari) dhe Burhan Emërllahu (Laçi).

6 - BYLISI – Skuadra ballshiote renditet vetëm në vendi e 6-të, me 14 pikë më pak se Teuta e vendit të parë, por Bylisi është ekipi që ka realizuar më shumë në 13 javët e para: 25 gola, ose 1.92 gola për ndeshje. Teuta e vendit të parë ka realizuar 17 gola, ndërkohë që sulmin e dytë më të mirë e ka Kastrioti i vendit të katërt, 21 gola. Bylisi ka fituar 5-2 me Shkumbinin dhe 4-2 me Tomorin (të dyja në Ballsh), por ka barazuar dhe 3-3 me Vllazninë (në Shkodër). Ka shënuar në 12 nga 13 ndeshjet e fazës së parë. Nuk ka realizuar vetëm në Teuta-Bylis (1-0).
7 – LENA – Shqiptari nga Maqedonia, Nijaz Lena i Flamurtarit, vlerësohet nga të gjithë si dhe mesfushori më i mirë i kampionatit shqiptar. Efikas në lojë, inteligjent në krijimtari dhe për më tepër edhe golashënues (4 gola dhe disa asistë), 25-vjeçari ka një kontribut të jashtëzakonshëm te skuadra vlonjate dhe është në planet e merkatos të çdo skuadre, duke filluar nga Tirana, Vllaznia dhe Skënderbeu. Është në sezonin e tij të tretë të Flamurtari dhe mund të quhet pa frikë, një nga lojtarët më të mirë të huaj apo dhe shqiptaro-maqedonas që kanë luajtur në Shqipëri në dekadën e fundit.

8 - SHEHI – Është pa padyshim ajka e portierëve të Kategorisë Superiore, duke fituar edhe një “fletëthirrje” nga ish-trajneri i ekipit Kombëtare, Josip Kuzhe. Durrsaku 34-vjeçar ka mbrojtur gjatë karrierës së tij portat e Teutës, Vllaznisë, Partizanit, Besës dhe Skënderbeut. Sezonin e kaluar i luajti të 33 ndeshjet me Skënderbeun, duke e ndihmuar skuadrën korçare të fitojë titullin kampion, ndërsa këtë vit është aktivizuar 100 për qind. Vetëm 7 gola të pësuar në 12 javë e bëjnë atë gardianin më të mirë të Superligës.

9 – SKËNDERBEU – Kampionët ndodhen në vendin e tretë (me 9 pikë më pak se Teuta kryesuese, por korçarët kanë një ndeshje më pak), por ajo që i bën ata fitues, janë financat. Skënderbeu është ekipi më i financuar në Shqipëri. Kostoja e një sezoni besohet se shkon në 1 milionë euro (përfshirë dhe shpenzimet dytësore apo ndaj të tretëve), ndërkohë që Daniel Xhafaj dhe Gjergji Muzaka janë dhe ndër më të paguarit: 70 mijë euro kontratë në sezon. “Ujqërit e dëborës” lënë pas emra të tillë të rëndë si Tirana apo dhe Flamurtari, dikur ndër më të paguarat.

10 – “MANITA” - Flamurtari ka fituar 5-0 me Shkumbinin në Vlorë, ndërkohë që fitoren më të thellë në transfertë e ka realizuar Skënderbeu: 5-1 me Apoloninë në Fier. Pesë gola ka shënuar edhe Bylisi në fitoren 5-2 me Shkumbinin në Ballsh. Gjithsesi, skuadra që ka realizuar më shumë gola në një ndeshje mbetet Shkumbini, që fitoi 6-2 me Tomorin në Peqin. Rezultate të thella janë dhe Kastrioti-Pogradeci 4-0, Apolonia-Vllaznia 1-4. Në total janë shënuar 222 gola (ose 2.47 gola për ndeshje), 135 nga ekipet vendase (1.5 gola/ndeshje) dhe 87 nga ato udhëtuese (0.97/ndeshje).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›