E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 mirëbërësit e njerëzimit

Revista shkencore amerikane, "Scientific american", ka hartuar listën e personaliteteve që janë angazhuar më shumë për të përmirësuar të ardhmen. Pjesë e kësaj liste janë mjekë e studiues, por edhe Barack Obama, Bill Gates e kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg

Mes shumë mirëbërësve që punojnë me zell dhe dëshirë për të përmirësuar të ardhmen e njerëzimi, janë përzgjedhur dhjetë meshkuj që dinë ta bëjnë këtë gjë më mirë se të tjerët. Ata janë mësues, mjekë, studiues, filantropë dhe industrialistë të cilët ëndërrojnë një botë të re, më të gjelbër dhe më të dhimbshme, që për ta realizuar punojnë me vendosmëri, plan dhe fantazi. Falë punës së tyre, një grup i madh meshkujsh dhe femrash mund t‘u gëzohen teknologjive të reja dhe studimeve shkencore, sepse në fund të fundit nuk mjafton vetëm të zbulosh një ilaç çudibërës, por është e nevojshme që edhe ta prodhosh e ta shpërndash atje ku është më shumë e nevojshme.

Lista e këtyre heronjve është hartuar nga revista shkencore amerikane, "Scientific american". Mes tyre numërohen veçanërisht biologë dhe fizikanë, por edhe një politikan, Presidenti Obama, sepse "revolucioni i tij ekologjik" ishte kaq i shpejtë dhe eklatant, saqë efektet mund të vërehen edhe te brezat pasardhës.

Mes tyre është pediatri 39-vjeçar, Kristian Olson, që sapo ka prodhuar për të sapolindurit një inkubator me pjesë makinash. Arsyeja? Për të bërë të mundur rregullimin e tij (nëse prishet) edhe në vendet më të varfra. Një tjetër mirëbërës është Andras Nagy, biologu i spitalit "Mount Sinai Hospital" në Toronto. Nagy ka arritur t‘i transformojë qelizat e rritura në ekuivalentet e qelizave staminale, duke zgjidhur kështu disa etika kundërshtuese dhe duke i dhënë studimit një material të vlefshëm me kosto të ulët. I treti është Bryan Willson, profesori i inxhinierisë në Universitetin e Kolorados, që ka dizajnuar furra ekologjike të cilat mund t‘u nevojiten familjeve më të varfra të Indisë, ose të Ishujve Filipine. Me këtë lloj furre ata mund të gatuajnë ushqime të ndryshme, duke kursyer mjaftueshëm karburantin dhe duke e mbrojtur atmosferën më shumë se njëherë e një kohë.

Shai Agassi, themeluesi i kompanisë "Better plac", falë krijimit të baterive me litium i ka bërë makinat elektrike një realitet. Wafaa El-Sadr, drejtoresha e "Infectious Disease Division" ("Dega e sëmundjeve infektive"), në qendrën spitalore "Harlem Hospital Center", lufton prej vitesh për të frenuar pandeminë e Sidës në Afrikën Sub-Sahariane. Në atë cep të mjerë të planetit, kjo zonjë me origjinë egjiptiane përpiqet me mish e me shpirt ta ndalojë sëmundjen që të mos transmetohet nga nëna te fëmija dhe t‘i sigurojë terapitë anti-virale të paktën një pacienti në dhjetë.

Mes dhjetë mirëbërësve të përzgjedhur është edhe një grua tjetër: antropologia Eugenie Scott, e cilësuar si "qeni i artë i Çarls Darvinit", duke e parafrazuar me Thomas Henry Huxley, biologun që në shekullin XIX u bë mbrojtësi i teorisë së evolucionit dhe për këtë arsye iu vu nofka "qeni i Darvinit". Merita e Scott është se shmangu që darvinizmi të hiqej nga programi i shkollave amerikane për të ashtuquajturin "krijimi", pseudo-shkenca që kërkon në të gjitha mënyrat të bëjë për vete biologjinë, gjeologjinë dhe fenë.

Për të përballuar "katastrofat" e provokuara nga duhani, dy gjigantë kanë bashkuar forcat e tyre: krijuesi i "Microsoft"-it, Bill Gates, dhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg. Për të financuar luftën e tyre kundër duhanit kanë shpenzuar rreth 375 milionë dollarë. Këto para shpërbejnë për të edukuar fëmijët nëpër shkolla mbi dëmet që shkakton cigarja, për t‘i ndihmuar ata që duan të heqin dorë prej duhanit dhe për të krijuar strategji të reja politike, me qëllim ndalimin e dhunës.

I fundit në klasifikim renditet Barack Obama. Presidenti ka zënë vend në listën e dhjetë mirëbërësve sepse vuri në qendër të axhendës së tij politike problemet që lidhen me ndryshimin e klimës dhe sepse zgjodhi disa shkencëtarë, si fizikanin John Holdren dhe biologen detare Jane Lubchenco, në vendet kyçe të administratës së tij. Sikur kjo të mos mjaftonte, në mars të këtij viti Obama liberalizoi studimin mbi qelizat staminale dhe miratoi ligje të reja për të mbrojtur punën e shkencëtarëve. Të gjitha këto kanë ndodhur pak javë pasi bëri betimin si President.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›