10 vjet të REMUSICA-s
Në qendër të vëmendjes sonë, në mënyrë të vazhdueshme, ka qenë pra vepra bashkëkohore. Kemi konsideruar me arsye se hapi i parë drejt ndryshimit të pozitës së veprës së kompozitorit modern është aktualizimi i veprës së tij dhe, në këtë drejtim, gjetja e formave sa më të mira për këtë aktualizim.
Pikërisht nga kjo bindje unë me miqtë e mi - Baki Jasharin, Mendi Mengjiqin, Ilir Bajrin, Zana Shuteriqin dhe Valton Beqirin, në vjeshtën e vitit 2001, pas diskutimeve të shumta
vendosëm që të fillojmë përgatitjet për organizimin e një festivali të muzikës moderne të emërtuar fillimisht Skena Muzikore e Re e Prishtinës (si aludim në Festivalin e ngjashëm që ekzistonte në Kosovë për dy dekada me radhë) e më pastaj e emërtuam me emër sinjifikativ ReMusica (Muzika e Re). Kështu, Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës - REMUSICA nisi jetën e saj në pranverën e vitit 2002.
Artistë dhe formacione me renome
Ishim të sigurt se rrugë më e mirë drejt popullarizimit të muzikës së re është realizimi sa më cilësor i veprave të reja. Kjo ka nënkuptuar bashkëpunimin me artistë dhe ansamble të reputacionit të lartë, të cilët me kompetencë profesionale për këtë muzikë, do të jetësojnë veprat e zgjedhura. Siç mund të vërehet edhe nga programi i këtij edicioni, kjo rrugë nuk braktiset. Këtë vit në REMUSICA vjen Ansambli me renome nga Kroacia (I Solisti Di Zagreb), që gëzon reputacionin e një prej ansambleve më cilësor në rajon në katër dekadat e fundit; vjen pianistja me renome nga Japonia, Aki Takahashi artiste me autoritet, për të cilën kanë shkruar vepra kompozitorët më të mëdhenj të shekullit XX; vjen virtuozi i ri në trompë nga Franca, Romain Leleu, që në vitin 2009, është shpallur artisti i vitit në këtë vend; klarinetistja atraktive nga SHBA-ja Krista Martynez, me performancën e saj multimediale; Kalei Duo (fizarmonikë-flaut) nga Italia /T. Ciccaresse e G. Fasseta/; Trioja e talentëve kulminant gjerman (Belli-Fischer-Rimmer); vjen pas dy vitesh Petrit Çeku, artisti kosovar që ka bërë hapin më të madh në vitet e fundit në skenën internacionale; mexosopranoja Flaka Goranci, sopranoja Besa Llugiqi dhe Admir Doçi, të cilët do të na prezantojnë literaturën atraktive vokale hispanike e shumë të tjerë. Kujdes i veçantë i është kushtuar artistëve të rinj kosovarë dhe gjeneratës më të re të kompozitorëve kosovarë. Kështu me mbrëmje të veçantë artistët dhe kompozitorët tanë të rinj do të paraqiten më datën 2 qershor në Koncertin përmbyllës të festivalit.
Festivali REMUSICA, në kohën kur filloi punën, zëvendësoi në masë të madhe jetën /e munguar/ koncertale në Prishtinë. Edhe sot e kësaj dite, ky festival si dhe festivalet tjera Kamerfest, Shopenfestival, DAM festival etj., pos që organizohen me program specifik të tyre, ato kanë një mision të dytë të tyre – ato përbëjnë sezonin koncertal vjetor. Sidomos kur është fjala për ngritjen e cilësisë së jetës së përgjithshme muzikore, duke sjellë artistë me renome.
Kujdesi për krijimtarinë kosovare
Kapitull i veçantë i REMUSICA-s është pa mëdyshje kujdesi që ajo i kushton nxitjes dhe realizimit të krijimtarisë kosovare. Dihet mirëfilli se artistët që vijnë nga jashtë, në programet e tyre përfshijnë domosdo vepra të kompozitorëve kosovarë. Dhe në këto dhjetë vite janë realizuar një numër impresiv i veprave kosovare. Shumica prej tyre kanë qenë vepra premiale. Janë realizuar veprat e kompozitorëve. Është bërë (audio) incizimi i të gjitha veprave të dhjetë edicioneve të mëparshme.
Nuk është e tepërt të thuhet se sot, Festivali REMUSICA, posedon arkivin më të madh të (audio) incizimeve të muzikës kosovare të bëra në 20 vjeteshin e fundit. Në këtë kohë kur nuk ekziston thuajse asnjë kujdes sistematik për realizimin /audio/ dhe ruajtjen e veprave të reja të kompozitorëve kosovarë, kjo ka peshë të madhe.
Me këtë edicion ne mbarojmë një dekadë të punës sonë me shpresë se ky festival edhe më tutje do të jetë manifestim kyç për zhvillimin e krijimtarisë moderne dhe bosht i jetës muzikore të Prishtinës