Kush do ta sfidojë Barack Obamën?

Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara gjatë javës së fundit përjetoi disa të papritura për republikanët, që shpresojnë të sfidojnë presidentin, Barack Obama, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Dy republikanë të njohur, ish-guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee dhe biznesmeni nga New Yorku, Donald Trump, vendosën të mos vënë kandidaturën, duke krijuar shumë pikëpyetje se kush do të kandidojë për emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2012.
Donald Trump tërhoqi vëmendje të madhe para se të vendoste më 16 maj për të mos kandiduar. Por ndikimi më i madh mes kandidatëve të mundshëm republikanë deri tani është vendimi i Mike Huckabee për të mos kandiduar, me gjithë faktin se ai ishte kandidati më i preferuar, në bazë të shumicës së anketave të opinionit publik. Huckabee shpjegoi vendimin e tij në programin televiziv, Fox News Sunday.
“Mendoj se thellë në karakterin tim, diçka më tha se nuk është koha e duhur dhe nuk është thënë për t’u bërë. Ndoshta është mungesë e përgatitjeve të hollësishme, por sidoqoftë, nuk do të kandidoj këtë herë”, theksoi ai.
Tani që Huckabee dhe Trump vendosën të mos kandidojnë, disa republikanë po e kthejnë vëmendjen tek ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney. Ai nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, por po grumbullon shuma të mëdha parash dhe sipas shumicës së anketave të opinionit, është në krye të kandidatëve të mundshëm republikanë.
Megjithatë, Romney po kritikohet ashpër nga konservatorët lidhur me planin për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Massachusetts, të cilin ai e miratoi kur ishte guvernator dhe që u bë model për planin e presidentit Obama për kujdesin shëndetësor në gjithë vendin, i cili u miratua nga Kongresi vitin e kaluar.
Romney nuk është i vetmi kandidat i mundshëm që përballet me sfida të ngjashme. Ish- kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, por vazhdon të përballet me pikëpyetje rreth dy shkurorëzimeve dhe një historie me veprime jo të moralshme, çështje këto shqetësuese për konservatorët e çështjeve sociale, një bllok ky i rëndësishëm i Partisë Republikane. Ja si u shpreh Gingrich, në programin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC.
“Unë kam bërë gabime në jetë. Më është dashur t’i kërkoj Zotit që të më falë dhe të kthejë tek unë ndjenjën e ripajtimit, prandaj do t’u kërkoja votuesve të më shikojnë si një njeri që kam ndryshuar dhe kush jam sot”.
Kongresisti nga Texasi, Ron Paul, ka shpallur gjithashtu kandidaturën, ndërkohë që ish guvernatori i Minessotas, Tim Pawlenty dhe ish senatori i Pensilvanysë, Rick Santorum, kanë ndërmarrë gjithashtu hapa drejt hapjes së fushatës për në Shtëpinë e Bardhë.
Por sipas disa anketave të fundit të opinionit, republikanët janë të pakënaqur me kandidatët e deritanishëm presidencialë, madje do të dëshironin të shikonin kandidatë të tjerë, pasi ata mendojnë se gara për emërimin e kandidatit republikan këtë herë është më e hapur, se sa ka qenë në shumë dekada. Peter Brown është studiues në Institutin e anketimeve, pranë Universitetit Quinnipac në Connecticut.
“Një gjë është shumë e qartë. Votuesit republikanë duan dikë që mund të fitojë ndaj Barack Obamës dhe kjo është një gjë e madhe për ta dhe pikërisht ky do të jetë një prej faktorëve që do të motivojë shumë republikanë në zgjedhjet e vitit 2012”, tha ai.
Guvernatori i Indianas, Mitch Daniels, thotë se do të vendosë së shpejti nëse do të kandidojë. Po ashtu edhe anëtarja e Kongresit nga Minnesota, Michele Bachmann, e preferuar nga konservatorët rreth çështjeve sociale dhe përkrahëse e lëvizjes Tea Party, e cila kërkon një qeveri më të vogël.
Por analistët thonë se nuk është kurrë e lehtë që të kandidosh kundër një presidenti, veçanërisht një presidenti si Barack Obama, i cili ka provuar se është i aftë të mbledhë fonde dhe të bëjë fushatë. Stephen Wayne është profesor i çështjeve qeveritare në Universitetin Georgetown në Washington.
“Kandidimi kundër një presidenti, në një kohë kur ekonomia po rimëkëmbet dhe një presidenti, që mund të grumbullojë shumë para dhe që nuk ka opozitë nga partia e tij, është një hap i madh dhe asnjë prej kandidatëve seriozë nuk do të donin të hynin në garë, nëse mund të presin edhe 4 vjet”, theksoi Wayne.
Shumica e ekspertëve e shohin Obaman në një pozitë të favorshme për rizgjedhje, por kjo nuk është aspak e sigurt. Ata thonë se rizgjedhja e presidentit Obama ka të ngjarë të varet tek vazhdimi i zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të punës dhe se një zmbrapsje e papritur mund të ndryshojë me shpejtësi dinamikën e rrjedhës politike në fushatën zgjedhore të vitit 2012.
Ndërkohë, disa republikanë shpresojnë të tërheqin në garë kandidatë të tjerë si për shembull, ish-guvernatorin e Floridës Jeb Bush dhe guvernatorin e New Jersey, Chris Christie. Por që të dy kanë thënë se nuk do të kandidojnë. Një republikane e njohur, e cila nuk ka dhënë shenja nëse do të kandidojë apo jo, është ish-guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin, ish-kandidatja për nën-presidente në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.