10 vjetori i sulmeve të NATO-s,Sejdiu:Mirënjohje SHBA-së e Perëndimit

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka shprehur mirënjohje për SHBA-të, BE-në dhe të gjitha vendet e tjera të botës demokratike, me rastin e 10 - vjetorit të nisjes së sulmeve të NATO-s mbi Serbi, që e ndihmuan Kosovën në orët më të liga të historisë së saj. Presidenti Sejdiu e ka përshkruar 24 marsin e vitit 1999 si një sinjal të fuqishëm të botës liridashëse, se sundimit të egër shtetëror serb në Kosovë duhej t'i vinte fundi me gjuhën e forcës ushtarake, pasi Beogradi zyrtar nuk kuptonte asnjë lloj marrëveshjeje politike. "Sulmet 78-ditëshe të Aleancës Veriatlantike mbi caqet e ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë e shpëtuan popullin e Kosovës nga shfarosja e paramenduar, skenari i së cilës ishte hartuar me ftohtësi në qarqet më të larta shtetërore e akademike serbe. Si të tilla, ato paraqesin një akt të pakrahasueshëm të humanizmit, sepse u nisën nga ideja sublime e mbrojtjes së jetës së njerëzve, të cilëve nga çasti në çast dhe në mënyrë masive u kanosej vdekja", ka thënë ndër të tjera Sejdiu. Në manifestimet e tyre për shënimin e kësaj date të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, sipas Sejdiut, të rinjtë me të drejtë e patën cilësuar 24 marsin si "Dita e Shpresës".
"Sigurisht, kjo ishte sintagma më e natyrshme, atributi më i qëlluar për emërimin e kësaj dite historike, e cila simbolizon fillimin e kthimit përfundimtar të popullit të Kosovës në gjirin e familjes së kombeve të lira", ka thënë ai. Krahas falënderimit për SHBA-të, BE-në dhe të gjitha vendet e tjera të botës demokratike, që e ndihmuan Kosovën dhe po e ndihmojnë edhe sot në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e institucioneve demokratike, presidenti Sejdiu ka falënderuar edhe komandantët dhe ushtarët e KFOR-it, të cilët sipas tij, po bëjnë një punë të shkëlqyeshme për ruajtjen e paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e EULEX-it.