E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama,thirrje G20:Duhen masa të guximshme për krizën

Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje liderëve të vendeve të G20-es, që gjatë samitit të parashikuar më 2 prill në Londër të marrin masa të guximshme, të zgjeruara dhe të koordinuara për të frenuar krizën ekonomike botërore. "Ne po kalojmë një periudhë sfidash ekonomike botërore që nuk mund të kapërcehen me gjysmë masa apo përpjekje të izoluara të kujtdo vendi qoftë", shprehet presidenti Obama. "Tani e tutje, drejtuesit e G20-ës kanë përgjegjësinë për të marrë masa të guximshme, të zgjeruara dhe të koordinuara që nuk janë vetëm një impuls rimëkëmbjeje, por hapin një epokë të re për të penguar një herë e përgjithmonë që një krizë ekonomike si kjo e fundit të përsëritet", shtoi Obama. Në perspektivën e samitit të G20-ës, që bashkon drejtuesit e vendeve të industrializuara dhe ekonomitë në zhvillim, Uashingtoni ka bërë thirrje për të rritur shpenzimet për rimëkëmbjen e ekonomisë, ndërkohë që drejtuesit europianë kanë nënvizuar nevojën e një mbikëqyrjeje bankare më të ngushtë. Obama i minimizoi mosmarrëveshjet e dyshuara mes SHBA-së dhe Europës, duke vërejtur se vende të tjera gjithashtu kanë miratuar plane rimëkëmbjeje dhe bëri thirje të vendosura në favor të një mbikëqyrjeje të sektorit financiar. Sipas tij, vetëm një veprim ndërkombëtar i koordinuar mund të pengojë ndërmarrjen e rreziqeve të papërgjegjshme që e shkaktuan këtë krizë. Obama angazhohet për ta kapur këtë mundësi për çuarjen përpara të reformave në kuadrin e rregullave dhe të kontrollit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›