E Diel, 1 Nëntor 2026

100 euro taksë për çdo hyrje në Kosovë

Qeveria u ka vendosur një taksë të re kufitare importueseve të mallrave me kamion nga Maqedonia, Serbia, mali Zi prej 100 eurove për çdo hyrje në Kosovë.

Sipas burimeve të gazetës Zëri, disa importues i kanë parkuar dje kamionët e tyre në hyrje të pikave të ndryshme kufitare, duke refuzuar pagesën e taksës prej 100 eurove.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës konfirmojnë se kjo taks është rezultat i reciprocitetit me këto shtete, me të cilat Kosova nuk posedon marrëveshje të tilla, duke përjashtuar në këtë rast vetëm Shqipërinë.

Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujotës, ka pohuar se deri më tani kompanitë kosovare për të kaluar nëpër Serbi, në kufij është dashur ta paguajnë taksën rrugore prej 100 euro. Ndërkaq, sipas tij, kamionët e Serbisë dhe nga shtetet e lartpërmendura kur kanë hyrë në Kosovë nuk kanë paguar asnjë cent. “Kjo është masë reciprociteti për t’i mbrojtur kompanitë eksportuese kosovare. Kjo taksë do të vlejë edhe për shtete tjera të rajonit, në përjashtim të Shqipërisë, sepse kjo e fundit nuk ka aplikuar asnjëherë taksë për kamionët kosovarë që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë”, tha ai.

Por, taksa e vendosur nga Ministra e Infrastrukturës vlerësohet se do ta dëmtojë në masë të madhe konsumatorin kosovar, pasi që me aplikimin e saj kompanitë eksportuese paralajmërojnë një valë të re të ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe atyre joushqimore, sepse shumica e importeve në Kosovë realizohen pikërisht nga Maqedonia dhe Serbia.

Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë “Elkos”, thotë për gazetën “Zëri” se në aspektin politik taksa mund të ketë ndikimin e vet pozitiv, por, sipas tij, kostoja e taksës bie në kurriz të qytetarëve të Kosovës, pasi pjesa dërrmuese e mallit në Kosovë hyn përmes kompanive eksportuese maqedonase e serbe. “Unë personalisht nuk jam kundër taksës, por po i tregoj opinionit se atë nuk e paguan një, dy apo tre kompani, atë e paguajnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Vetëm aplikimi i sigurimit kufitar për veturat me tabela të Serbisë dhe aplikimi i kësaj takse 100 euro për kamion së paku jetën e qytetarëve të Kosovës sivjet do të shtrenjtojë për 15 milionë euro”, tha Kelmendi.

Në anën tjetër, përfaqësues të arganizatave joqeveritare në vend thonë se përmes taksës kufitare Qeveria po mundohet që të inkasojë mjete të sigurta në kufij, pasi që, sipas tyre, Qeveria po ka probleme me inkasimin e taksave të brendshme.

Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se Qeveria e Kosovës këtë taksë e ka vendosur pa u konsultuar fare me konsumatorin.
Ai thotë se me aplikimin e saj në Kosovë do të ketë edhe një valë të re të ngritjes së çmimeve, ku më së shumti do të goditet ajo shtresa e varfër dhe e mesme e shoqërisë.

“Qeveria duhet ta mbrojë interesin e konsumatorit, e jo ta dëmtojë atë. Kur merren vendime të tilla Qeveria duhet të marrë rekomandime nga konsumatori, por në këtë rast dhe në rastet tjera Qeveria e Kosovës asnjë herë nuk e ka bërë një gjë te tillë. Janë marrë vendime që e kanë dëmtuar konsumatorin”, tha ai.

Huruglica: Taksa në mbrojtje të eksportuesve

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ka theksuar për “Zërin” se taksa e vendosur nga Qeveria është në të mirë të shtetit të Kosovës.
Sipas tij, kjo është masë reciprociteti dhe mbrojtje direkt për kompanitë eksportuese kosovare. “Deri më tash kompanitë kosovare e kanë paguar këtë taksë nëse kanë tentuar të eksportojnë në Serbi, apo Maqedoni, ndërkaq tash e tutje edhe ata duhet të paguajnë ketë taksë nëse dëshirojnë të eksportojnë prodhimet e tyre në vendin tonë”, tha ai.

Importet nga rajoni

Maqedonia 370 milionë euro
Serbia 280 milionë euro
Bosnja 80 milionë euro
Bullgaria 52 milionë euro
Mali i Zi 13 milionë euro. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›