“100 milionëshi i bashkëshortes së Edi Ramës, tentativë për të pastruar një pjesë të parave...?!”
Argita Malltezi përgënjeshtron akuzat e PS. Sipas saj biznesmeni pakistanez nuk e finalizoi projektin për shkaqe personale
Argita Berisha Malltezi, reagoi dje pas akuzave të deputetit të PS, Taulant Balla sipas të cilit vajza e kryeministrit ka dëmtuar bizneset e huaja të cilat kreu i qeverisë i ka orientuar për tek studio ligjore e së bijës. Sipas saj, tellalli i paguar i Ramës doli për gënjeshtrën e radhës, të cilën, sipas saj, e ka përtypur pa sukses dhe para fushatës elektorale të 4 viteve më parë. Ajo sqaron se pretendimet e PS janë një gënjeshtër e madhe, pasi biznesmeni pakistanez për të cilin flet tellalli i Edi Ramës, nuk e finalizoi kurrë projektin për shkaqe personale. Gjithashtu, Malltezi shton se asnjë shumë nuk është marrë prej tij apo çdo biznesmeni tjetër pa u deklaruar në organet tatimore dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. “I dalë boje nga mashtrimet 13 ditore mbi të ardhurat tona dhe burimin e tyre, tellalli i paguar i Rames doli sot për gënjeshtrën e radhës, të cilën e ka përtypur pa sukses dhe para fushatës elektorale të 4 viteve më parë. Sqaroj se, çdo e ardhur që kam fituar në kohën kur kam ushtruar aktivitetin e avokatisë duke zbatuar tarifat sipas vlerës së tregut dhe normës së fitimit të studiove ligjore në kryeqytet, është deklaruar në ILDKP dhe organe tatimore dhe tatuar sipas ligjit. Zotëria në fjalë nuk e finalizoi kurrë projektin për shkaqe personale. Asnjë shume nuk është marrë prej tij apo çdo biznesmeni tjetër pa u deklaruar në organet tatimore dhe ILDKP. Z.Rama e kupton shume mire dallimin midis ligjshmërisë dhe deklarimit të burimit dhe fshehjes së burimeve siç bën e shoqja, por zgjedh shpifjen politike sepse standardi i z. Rama është fshehja e pasurisë së tij dhe shpifja. Z. Rama, ne kemi dhënë dhe do të japim gjithmonë sqarime për transparencën e të ardhurave tona dhe burimeve të tyre, sepse ndryshe nga ti s’kemi asgjë për të fshehur. Ne u kemi faktuar institucioneve shtetërore dhe shqiptarëve se të ardhurat tona janë të qarta, nga burime të pastra, të ligjshme dhe të njohura, të përfshira në mënyrë të plotë në deklarimin pranë organeve tatimore dhe ILDKP. Ato janë krijuar nga aktiviteti profesional, mësimdhënie, kërkim shkencor, botime librash profesionale, pjesëmarrje në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, qira nga apartamente në pronësinë tonë dhe trashëgimi familjare; të gjitha këto të përfshira dhe të vërtetuara me firmat tona dhe punëdhënësve tanë, me derdhjet bankare dhe me kontratat përkatëse të deklaruara në organet tatimore dhe ILDKP; dhe e kemi bërë këtë vite më parë se ligji të kërkonte një gjë të tillë. Këto institucione kanë bërë kontrollet e tyre sipas viteve dhe kanë dalë me njoftim zyrtar duke i konsideruar ato transparente dhe konform ligjit”, thuhet në reagimin e Argita Malltezit. Gjithashtu, vajza e kryeministrit Berisha thotë se standardi i zotit Rama nuk është deklarimi, por fshehja e pasurisë se tij dhe shpifja. Ajo përfundon reagimin e saj duke pyetur në mënyrë retorike kreun e opozitës se mos është 100 milionëshi i marrë dhuratë nga gruaja e tij Linda Basha, një tentativë për të pastruar dhe ligjëruar një pjesë të parave? “E kundërta vlen për ju z. Rama sepse të ndryshme janë standardet e tua. Siç provohet nga deklarata e pasurisë, bashkëshortja juaj deklaron në mënyrë zyrtare se ka marrë pa interes 100 milionë nga një dhurues anonim. Refuzimi juaj për të treguar dhuruesin dhe arsyet që i shtyjnë njerëzit të jenë kaq bujare me ju janë një kambanë e frikshme për standardet që ju zbatoni dhe i ofroni këtij vendi. Sa realiste duken sot akuzat që ju kanë bërë publikisht ndërtuesit e Tiranës se u ke kërkuar miliona euro për një leje ndërtimi. Çdo student i drejtësisë do të pyeste mbi një rast të tillë, të denjë për t’u studiuar në orët e seminareve dhe leksioneve: a mos është 100 milionëshi i marrë nga gruaja juaj Linda Basha, një tentativë për të pastruar dhe ligjëruar një pjesë të parave”, përfundon deklaratën e saj, Argita Berisha Malltezi.
...