Tani duhet të përshtaten të moderuarit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë dështuar me zhurmë në përpjekjet e tyre për shporrjen e “Hamasit” nga Gaza ose për t’i bindur militantët palestinezë që të pajtohen me kushtet ndërkombëtare. Duke u frikësuar nga një betejë humbëse në lagjet e Gazës, Izraeli ia ka lëshuar “Hamasit” në duar një fitore. “Hamasi” ka pranuar një marrëveshje armëpushimi, të ndërmjetësuar nga diplomacia egjiptiane, e frikësuar nga ndikimi iranian në Gazë, që jo vetëm që i ka dhënë fraksionit militant palestinez legjitimitet dhe nënvlerësim të politikës ndërkombëtare se kurrë nuk duhet biseduar me fraksionet militante, por edhe ia ka mundësuar “Hamasit” ringjalljen. Në fakt, “Hamasi” tani përbën një kërcënim serioz për qendrat urbane izraelite dhe kazermat ushtarake të shtetit hebraik.
Lufta e Izraelit, e përkrahur nga SHBA dhe bota e “moderuar” arabe, gjatë vitit 2006 me “Hezbollahun” e Libanit, përfundoi pa sukses për Izraelin. Në të vërtetë, fraksioni libanez “Hezbollah” tani është më i fuqishëm ushtarakisht se më parë – Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila bënte thirrje për çarmatosjen e fraksionit libanez, ka dalë të jetë një dështim – por po ashtu ka krijuar një “Hezbollah” më të fuqishëm politik sesa para luftës. Por duke qenë se në të trupëzohen interesat politike, nacionaliste dhe fetare të Libanit, lideri i “Hezbollahut”, Hassan Nazrallah, është drejtuesi i pakontestueshëm i Libanit.
Shefi sirian i “Hezbollahut”, presidenti Bashar al-Assad, një tjetër anëtar i “boshtit të djallit”, është duke pasur sukses të jashtëzakonshëm politik. Jo vetëm Izraeli dhe SHBA, por edhe Egjipti dhe Arabia Saudite kishin shpresuar në shkatërrimin politik të këtij miku të çdo kauze rebele në Lindje të Mesme – nga “Hamasi”, Irani dhe te forcat antiperëndimore në Liban. Por Assad ka arritur të menaxhojë për mrekulli pas tërheqjes së detyruar nga Libani më 2005, pa ndihmën e të cilit nuk mund të zgjidhet asnjë qeveri libaneze e as edhe presidenti i Libanit.
Kjo, së bashku me negociata indirekte që po bëhen ndërmjet Izraelit dhe Sirisë me ndërmjetësimin turk – ku Assad e di se nuk do të arrijë rezultate të mëdha, duke ditur se kryeministri izraelit, Ehud Olmert, nuk ka më fuqi të madhe politike pas paralajmërimit të largimit nga zyra kryeministrore dhe të dobësimit të Bushit në ikje – Sirisë ia ka hapur dyert edhe në Evropë, ku deri tani Assad konsiderohej një shtetar i nivelit jo të lartë politik. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë tmerrësisht të interesuara të arrijnë një relevancë me politikën e tyre në Lindje të Mesme, kanë pranuar që nënsekretari i Shtetit për Çështje të Lindjes së Afërt, David Welch, ka pranuar të takohet me Riad Daoudi, shefi sirian i bisedimeve me Izraelin.
Po ashtu, edhe politika amerikane për të detyruar Iranin që të heqë dorë nga programi bërthamor me sanksione të ndryshme nuk ka dhënë sukses, sikurse edhe përpjekjet për të mposhtur grupet militante me izolime. SHBA tani e ka ndryshuar qasjen se nuk do të bisedojë me Iranin për planet bërthamore.
Pjesëmarrja e nënsekretarit amerikan të Shtetit, William Burns, në bisedimet e evropianëve me Iranin, si dhe për vendosjen e diplomacisë amerikane në Teheran për herë të parë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, prezanton një çarje të pozitës së diplomacisë amerikane, si dhe një sprapsje se Izraeli mund të bëjë ndonjë sulm ushtarak. E dëmtuar në Afganistan dhe Irak, SHBA duket se nuk është e gatshme për një front të tretë në botën islamike. Pasojat e një sulmi të mundshëm izraelit mbi territorin iranian “do të ishin stresuese për ne”, ka paralajmëruar komandanti i Kabinetit ushtarak të SHBA, gjenerali Michael Mullen.
I lodhur nga politika në fillim inspiruese e jashtme, Bush duket se nuk do të qëndrojë më duarkryq ndaj beneficioneve që mund të marrë nga përfshirja e Sirisë dhe Iranit në krizën e Lindjes së Mesme. Të izoluar nga familja arabe, Siria, sikurse edhe Irani, mund të jenë faktor i rëndësishëm në stabilitetin e Lindjes së Mesme. Irani dhe Siria mund të luajnë rol të rëndësishëm në Liban, mund të ndikojnë në krijimin e paqes në Irak, si dhe mund ta ndryshojnë sjelljen e faktorëve jo-shtetërorë, si “Hezbollah” dhe “Hamas”. Madje, leva siriane dhe iraniane është shumë e rëndësishme në qetësimin e frontit palestinez. Përfshirja e Iranit po ashtu mund ta shpëtojë apokalipsin e regjionit për shkak të Iranit bërthamor.
Natyrisht që mbi të gjitha, ngrirja e tensioneve politike reflekton kolapsin e një koncepti të gabuar të administratës së Bushit – se “bishti i djallit” është një koalicioni i interesuar vetëm në shpërndarjen e djallit. Ndjekja e një rruge radikale nuk do të thotë se një shtet është duke vepruar në mënyrë të paarsyeshme. As Siria e Irani, sikurse edhe Koreja e Veriut, nuk kanë ndonjë interes të jenë të nënvlerësuarit e botës dhe ata mjaft mirë e dinë se cilat janë pasojat ekonomike gjatë izolimit.
Politikat kanë detyra më të mëdha sesa të shpërndajnë terror dhe revolucione; ato duhet të promovojnë interesa të negociueshme. Ato janë të kujdesshme në kufizimin e politikave destabilizuese, dhe ato kanë detyrë të ecin përpara me një dialog më oriental të administratës amerikane për adresimin e shqetësimeve politike dhe strategjike ame¬rikane.
Autori është ish-ministër i Jashtëm i Izraelit dhe zëvendë¬spresident i Qendrës Ndërkombë¬tare për Paqe, Toledo