100 vjet nga fundosja e Titanikut

“Këtu Titaniku, këtu Titaniku. Jemi në rrezik, po fundosemi”, ishte atë ditë porosia e telegrafistit Jack Philips.
Drama filloi para mesnatës, të shtunën më 14 prill të vitit 1912. Ekuipazhi fillimisht nuk i kushtoi rëndësi vërejtjeve të anijeve tjera, të cilat njoftuan Titanikun se në ujë ishin paraqitur copa të mëdha të akullit.
Titaniku, thoshte konstruktori i saj, është i “pafundosshëm”.
Dhe në momentin kur para anijes u paraqit copa e madhe e akullit, pasoi komanda:”Kthim i plotë majtas, ndizni motorët, prapa”.
Por ishte tejet vonë: akulli copëtoi pesë oda të anijes dhe uji filloi të depërtojë në brendi.
Në anije të paktë ishin njerëzit, të cilët kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Orkestra vazhdoi të luaj muzikë, por për shumë njerëz, ishte kjo tangoja e fundit në jetën e tyre.
Kronistët pedantë kanë shënuar: ishte 15 prilli, dy orë e 15 minuta pas mesnatës, viti 1912. Ujërat e errëta të Atlantikut gëlltiten Titanikun, përderisa anija po lundronte drejtë New Yorkut.
Ishte kjo tragjedia më e madhe në det. Kurrë nuk është përcaktuar me saktësi se sa udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit kanë qenë në anije, pasi që listat e udhëtarëve përfunduan në shtratin e Atlantikut. Por, sipas të dhënave të më vonshme, jetën e kanë humbur prej 1502 deri në 1523 persona, ndërsa janë shpëtuar 507 udhëtarë.
Atë mbrëmje, pothuajse çdo gjë ishte kundër flotës detare të Britanisë. Nata ishte pa hënë, valë të larta, copa të akullit dhe temperatura afër pikës së ngrirjes.
Anija Karpantie ishte e para, e cila e pranoi sinjalin për ndihmë dhe arriti në vendin e aksidentit pas katër orësh. Por shumë udhëtarë tashmë kishin vdekur.
Itaniku në udhëtimin e tij të parë dhe të fundit u nis më 10 prill, nga qyteti i Sothemptonit. Lundrimi zgjati katër ditë, 14 orë dhe shtatë minuta.
Në Titanik kanë qenë 20 varka për shpëtim, në të cilat kishte vend vetëm për gjysmën e udhëtarëve. Sipas urdhrit të kapitenit Eduard Smith, në varka fillimisht u hipen gratë dhe fëmijët. Në ujërat e Atlantikut përfundoi edhe konstruktuesi i Titanikut, Tomas Andreë.
Anija Karpantie barti të mbijetuarit në New York dhe u prit me ovacione. Por edhe kjo anije, për të cilën fliste e gjithë bota, e përjetoi fatin e njëjtë si të Titanikut. Edhe kjo anije përfundoi në shtratin e Atlantikut, më 17 korrik të vitit 1918, pasi që u godit me torpedo nga një nëndetëse gjermane.