E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjet nga kisha e Ndre Mjedës

TIRANE - Njëqindvjetori i ndërtimit të Kishës së Kuklit, në të cilën shërbente Mjeda i madh, është kthyer në një ngjarje të rëndësishme, që është shoqëruar nga disa aktivitete, me praninë e përfaqësuesve të shumë institucioneve, organizuar nga Qendra Muzeore Ndre Mjeda në Kukël. Sipas Dom Nikë Ukgjinit, i cili ishte dhe ideatori e organizatori i këtij aktiviteti, takimi për shpalljen e vitit jubilar të 100- vjetorit të ndërtimit të Kishës së Kuklit, ka si qëllim të hedhë më shumë dritë mbi kultivimin e botës shpirtërore të poetit. Programi kishte si orientim, heshtje, lutje dhe reflektim, trinome këto të cilat e kanë shoqëruar në tërë jetën në veprimtarin e tij klerikale dhe shoqërore poetin Mjeda. 

Gjatë gjithë vitit janë menduar aktivitete. Dom Nika pohoi se "festa do të vazhdojë përgjatë këtij viti jubilar, me Ditët e Mjedës, 1 gusht (vdekja e poetit) dhe 20 nëntor (lindja e poetit), si dhe restaurimin e shtëpisë-muze dhe kthimin e tryezës 100-vjeçare të Mjedës, e cila është duke u shkatërruar në depot e muzeut të Shkodrës." Studiuesi i njohur i Mjedës, Mentor Quku e ka ndarë në tri pjesë jetën e poetit-prift. Kështu, periudha e parë është ajo e studimeve jashtë shtetit, periudha e dytë, ajo e kthimit në atdhe dhe periudha e tretë, ajo e pleqërisë. Sipas Qukut, mbas kthimit të Zogut në Shqipëri, Mjeda iu nënshtrua një përndjekjeje, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes në opozitën dhe lëvizjen antizogiste 1921-1924. Ndoqi shembullin e Buzukut, Bogdanit, Budit, Bardhit, duke botuar në shqip, vepra të përkthyera apo të përshtatura nga autorët klasikë botërorë, por edhe vepra origjinale teologjike. Ai na dhuroi kryevepra teologjike, jetë shenjtorësh, etërish, që mbeten kryevepra të prozës shqipe.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›