Tuma e Rehovës, Vlerat e rralla të monumentit
Autori i monografisë "Tuma e Rehovës", Prof. Skënder Aliu, i përket brezit të arkeologëve që e filluan këtë profesion kur qenë studentë, si pjesëmarrës në Ekspeditën arkeologjike shqiptaro-sovjetike, në Apolloni, gjatë viteve 1959-1961. Më vonë morën pjesë në gërmimet arkeologjike në tumën e Grizhës, në Kalanë e Gajtanit (Shkodër), e më pas në gërmimet e vendbanimit prehistorik të Maliqit, në Pellgun e Korçës, të drejtuara nga Prof. Frano Prendi, që u bënë shkollë e vërtetë arkeologjike për të gjithë arkeologët e prehistorisë. Krahas pjesëmarrjes në fushata gërmimesh, Skënder Aliu, gjatë viteve 1962-1966, nëpërmjet ekspeditave informative në terren, ka zbuluar e vënë në mbrojtje shtetërore shumë vendbanime të hapura e të fortifikuara, si dhe shumë varreza tumulare e të sheshta, në rrethin e Kolonjës, të panjohura më parë. Mbështetur në një përvojë disavjeçare, sektori i Prehistorisë, i dha të drejtën të ndërmerrte gërmime të pavarura. Fillimisht, drejtoi gërmimet në kalanë ilire të Hollmit në Kolonjë (1967), vendbanimit Neo-Eneolitik të Kamnikut (1968-1970), me Tumën e Prodanit (1973), Rehovës (1979-1980), Psarit(1983), Shtikës (1990), Luarasit (1988-1989), varrezën e sheshtë në Borovë etj.
Tuma e Rehovës, që ruhej e padëmtuar, ishte më e madhja jo vetëm nga tumat e Kolonjës, por edhe në Shqipëri e më gjerë. Në përfundim të gërmimeve dyvjeçare, rezultoi se kjo tumë e ka zanafillën me një varr qendror, me muranë në trajtë elipsi 3x2 m, rrethuar nga një unazë shiritore me gjerësi nga 1. 70 deri në 2. 20 m, me diametër të jashtëm 10 m e të brendshëm 6.20 m, të mbuluar me dhe, të sjellë nga vendbanimi, me përmasa 1.5 m e larte dhe 15 m diametër. Mbi këtë konstruksion të menjëhershëm, tuma është lartësuar nëpërmjet varrimeve në Bronzin e vonë, gjatë shekujve XV-XII dhe Hekurin, e zhvilluar shek. XI- 750 p. Kr., derisa ka arritur në përmasat 50 m diametër dhe 5 m lartësi, kësula e së cilës është veshur me gurë, që ruhej pjesërisht mirë. Gjatë gërmimeve, u fiksuan 285 varre, 83 nga të cilët, i përkasin ripërdorimit të tumës si varrezë në Mesjetën e Hershme.
Detajet
Elementët ndërtimorë të tumës së Rehovës, së bashku me tipet e varreve e ritet e varrimit, si dhe llojet e shumta të gjetjeve: Qeramika, armët, e sidomos stolitë prej bronzi, hekuri, ari, argjendi, qelibari, kocke, briri, etj., kanë ngjashmëri me grupin iliro-jugor, brenda e jashtë kufijve të vendit tonë. Varri qendror, është datuar në fillimet e Bronzit të vonë; shek XV p.Kr. Argument bindës për këtë, ka shërbyer një enë e importuar "mikene", e ardhur nga punishtet dytësore të Thesalis (Peukakia), të datuar atje në vitet 1450-1400 p. Kr.
Periudhës së parë të varrimit në këtë tumë, shek. XV- XII p. Kr., i përkasin 40 varre me inventar dhe 34 varre të tjerë pa inventar. Në inventarin e këtyre varreve, krahas qeramikës vendëse, tipike për Bronzin e vonë, bëjnë pjesë dhe një grup gjilpërash bronzi, të njohura sot për sot vetëm nga gërmimet në tumën e Rehovës, Luarasit e të Shtikës në Kolonjë. Këto kanë ngjashmëri me gjetjet e zbuluara në Eania pranë Kozhanit në Greqi, të shoqëruara nëpër varre me qeramikë "mikene" dhe shpata bronzi të datuara atje në shek. XIV- XIII p.Kr. Kësaj periudhe varrimi në Rehovë, ashtu si edhe në tumën e Shtikës në Kolonjë, i përkasin edhe disa pafta ari me prejardhje nga qytetërimi i Egjeut, të shoqëruara nëpër varre me materiale të datuara mirë, në shekujt XIV-XIII p.Kr. Periudhës së dytë të varrimit në Tumën e Rehovës, që përkon me Hekurin e hershëm, shek XI- 750 p.Kr, i përkasin 50 varre me inventar mjaft të pasur e të larmishëm, si dhe 50 varre të tjera pa inventar. Për datimin e tyre shërbejnë shumë stoli prej bronzi, si: gjilpërat e gjata, fibulat gjyzlykore dhe diademat, të njohura nga krahina të ndryshme brenda e jashtë vendit tonë.
Periudha e tretë e varrimit në Tumën e Rehovës, përkon me periudhën e Hekurit të zhvilluar, rreth viteve 750-625 p.Kr. Enët e ndryshme prej qeramike, të zbukuruara me pikturim, me motive gjeometrike, e sidomos me gjysmërrathë bashkëqendrorë, të frymëzuar nga qeramika e Gjeometrikut të vonë, së bashku me grupin e madh e të larmishëm prej bronzi, të ashtuquajtura "Bronze Maqedone", siç janë: Byzylykët e trashë me skaje të mbivënë, varëset, paftat e formave dhe varianteve të ndryshme, si dhe shpatat, heshtat, shigjetat, kryesisht prej hekuri, kanë pasuruar ndjeshëm tiparet kryesore të kulturës ilire të kësaj faze të Hekurit të zhvilluar, në përgjithësi, e sidomos të grupit iliro-jugor në veçanti.
Me mjaft interes janë dhe gjetjet që i përkasin një grupi varresh, me inventar të pasur të datuar rreth viteve 625- 540 p. Kr. Në këto vlen të përmenden byzylykët prej teli bronzi, me skaje të mbivënë, varëset kafaz, paftat, gjilpërat dyshe etj., që përkojnë me Fazën Kuç i Zi II, për pellgun e Korçës, e sidomos me materialet e shumta të varrezës së Borovës në Kolonjë, të cilat së bashku me gjetjet e tjera të varrezave e vendbanimeve, të periudhës Paraqytetare ilire (650-450) p.Kr, janë tipike kryesisht për krahinat e Dasaretisë Antike.
Materialet e gërmimeve të Tumës së Rehovës, së bashku me ato të përfituara nga tumat e tjera të rajonit të Kolonjës, Prodan, Psar, Shtikë, Varreza e Borovës, dhe në monografinë "Tuma e Luarasit, kanë pasuruar njohuritë tona, jo vetëm për tiparet kryesore të kulturës ilire të epokës së Hekurit, por edhe për një kronologji më të detajuar e më të saktë të kësaj epoke.
Tuma e Rehovës në Kolonjë, ashtu si Tuma e Piskovës në Përmet dhe e Dukatit në Vlorë e gjetkë, janë ripërdorur në Mesjetën e Hershme. Gjatë gërmimeve në Tumën e Rehovës, rezultuan edhe 83 varre, që lidhen me kohën e ripërdorimit të kësaj tume si varrezë, që u përkasin shekujve VII-VIII dhe IX-XI, pas Kr. Në gjetjet e Tumës së Rehovës, qeramika, për nga forma, kryesisht vorba pa vegje, të zbukuruara me incizim, radhitet në grupin e madh të uniformizuar, me përhapje të gjerë në Mesjetën e Hershme. Forma dhe zbukurimi me incizim, që karakterizon këtë grup, tregon për origjinën e saj nga qeramika provinciale romake dhe antikiteti i vonë, pa përjashtuar dhe infiltrime ose kontakteve me botën sllave, sidomos në shekujt IX-XI pas Kr., lidhur ngushtë me Perandorinë Bullgare, që kishte për kryeqendër Ohrin.
Grupin tjetër të gjetjeve mesjetare në Rehovë e përfaqësojnë kategoritë e ndryshme të vathëve prej bronzi e argjendi, disa prej të cilave, të veshura me ar; unazat prej bronzi e argjendi të zbukuruara me filigran, si dhe rruazat prej qelqi e brumë qelqi, shumica e të cilave, të pranishme në të gjitha varrezat e zbuluara në vendin tonë. Në grupin e këtyre stolive bëjnë pjesë gjithashtu, vathët me fletë drapër-hënë, ato me kalotë gjysmësferike, karakteristike për kulturën e Mesjetës së Hershme arbërore, të zbuluara në varrezën e Komanit, Buklit, Krujës, Lezhës, etj., të datuara kudo në shek. VII-VIII pas Kr. Vathët me varëse globulare, ose ato me katër varëse dykonike, prej bronzi, të tipit vile rushi, dy prej të cilave prej argjendi, të lyer me ar, janë zbuluar edhe në tumën e Piskovës në Përmet, të Dukatit në Vlorë, të Rëmbecit në Korçë dhe deri në Matiçan, në Kosovë, kudo të datuara në shek. IX-XII pas. Kr.
Vrojtimet mbi gjetjet mesjetare të Tumës së Rehovës, së bashku me ato të varrezave të tjera të zbuluara brenda apo jashtë vendit tonë, çojnë te mendimi se në territoret jugore të Shqipërisë, kultura e Mesjetës së Hershme arbërore paraqitet me tipare të dallueshme krahinore. Këto ndryshime konsistojnë në mungesën e veglave të punës, të armëve, tipike për kulturën e Komanit. Nga ana tjetër, prania në Rehovë, Rëmbec, Piskovë e Dukat, të disa tipe vathësh prej bronzi e argjendi, me origjinë të përbashkët bizantine, janë tregues që sugjerojnë variantin jugor të kulturës arbërore, që kërkon të plotësohet me argumente të tjera në të ardhmen. Ripërdorimi i Tumës së Rehovës si varrezë në Mesjetë, dëshmon vijimësinë iliro-arbërore të banorëve të krahinës, të cilët, jo vetëm kanë njohur funksionin e tumave, por në mjaft raste i kanë shenjtëruar ato. Tuma e Rehovës është njohur me emrin Shënthanas dhe është përdorur si varrezë në Mesjetë.
Botimi i rezultateve të gërmimeve arkeologjike në tumën e Rehovës, është i një niveli jo vetëm të mirëfilltë shkencor, por i plotë dhe me cilësi, dhe paraqet një sukses për kërkimet albanologjike në tërësi dhe arkeologjinë shqiptare në veçanti. Monografia është fryt i punës gjysmëshekullore të autorit në kërkime arkeologjike, që është dhe garanci për vlerat e botimit, sistemimit, analizës, klasifikimit, vendosjes në kohë dhe hapësirë të materialit të përftuar nga ky gërmim. Është një shembull, sigurisht jo i vetëm, i botimit të plotë të gërmimit arkeologjik, që duhet ndjekur dhe kthyer në normë në të ardhmen. Profesor Skënder Aliu dhe institucioni botues duhen përgëzuar për këtë botim cilësor.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)