E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjet pavarësi, krenari dhe marrëzi

Nga Luan Laze
Të gjitha luftërat dhe pushtimet bëhen për të vjedhur pasuritë e të tjerëve. Më mirë se kushdo, këtë gjë e dimë mirë ne, gjermanët, thotë Artur Shopenhaueri. Tek kjo e vërtetë mund të zbuloni shkakun e varfërisë tonë. Tek kjo e vërtetë mund të zbuloni gjithashtu edhe arsyet e fuqisë së vendeve të mëdha e të pasura. Ne jemi pushtuar, ne jemi vjedhur. Ne jemi vonuar në pavarësi se, kështu donin pushtuesit dhe vjedhësit tanë.
Sa herë rikujtoj si në një film historinë e dhimbshme të vendit tim, përjetoj dy ndjenja njëkohësisht, krenari dhe marrëzi. Kështu jemi gatuar ne. Të bëjmë çudira atdhetare e njerëzore pa harruar të marrosemi kundër njëri-tjetrit. Vend i çuditshëm me një magnet malli që vështirë për tu shpjeguar. Këtu brenda jemi grerëza, jashtë bëhemi bletë, thotë një miku im.
Megjithatë, historia e këtij vendi më bën të ndihem vërtet krenar. Midis fqinjëve të egër e ambiciozë, xhelozë dhe të ligë, ky popull i vogël, për habi i rezistoi çdo lloj marke asimilimi. Ndoshta, desh Zoti që të na linte kështu, apo është karakteri ynë? Nuk e di! Po për një gjë ama nuk ma lëkund askush mendimin, besimin, bindjen dhe respektin e thellë se, të parët tanë e kanë dashur shumë, shumë këtë vend. Na pushtonin, vritnin, grabitnin, digjnin por, përsëri pjesa e mbetur e donte akoma më shumë këtë tokë. Sa më shumë gjak derdhej dhe njerëz flijoheshin për këtë vend, aq më shumë detyrohej pjesa tjetër e mbetur gjallë për ta dashur. Kulti i heroit është kulti i njerëzimit, ka thënë dikush. Ne e patëm atë dhe, për fat, na frymëzoi. Burri më i madh e legjendar që provoi dhe shijoi lirinë e kësaj toke të munduar, ka emrin e lavdishëm Skënderbe. Ai, sot e kësaj dite është ikona jonë e krenarisë. U bë burim i frymëzimit për breza të tërë. Pjesa e marrëzisë sonë është se, gjatë gjithë historisë, shqiptarët e përçarë e mbanin për ikonë të bashkimit këtë krenari por, pa harruar të luftonin njëri- tjetrin edhe në emër të tij! Prandaj, këto 100 vite pavarësi u shoqëruan me 100 vite marrëzi.
Ndërsa ai që na bëri shtet dhe na dhuroi mëvetësinë, ka një emër të ndritur, Ismail Qemali. Është babai i kombit tonë. Kjo madhështi me emër njeriu, i fali bashkëkombasve të tij kupën e ëmbël të lirisë, ndërsa vetë piu prej pabesisë së të tjerëve, filxhanin e zeherit. Ishte një mesazh i qartë nga armiqtë tanë shekullorë se, çdo përpjekje për lirinë, pavarësinë, gjuhën dhe emancipimin e këtij kombi do të pësonte atë fat. Ashtu siç edhe e kishin pësuar Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani e të tjerë që sakrifikuan për shqiptarët se duhet të mësojnë, shkruajnë e të flasin shqip. A mund të ketë liri pa gjuhën tënde të lirë? Kurrë! Një vend që flet gjuhën e padronit, është dhe mbetet pa mëdyshje vetëm skllav.
Përulem me nderimin më të madh për burrat me dhe pa mjekër, që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit tim. Çerçiz Topulli e Mihal Grameno janë dy figura që, për fat, tanimë i kemi të legalizuar në një vepër filmike tepër të arrirë. Aty janë vërtet të gjallë Çeco dhe Mihali. Përmetari Abdyl Frashëri, për lirinë e këtij vendi u burgos në qelitë e Prizrenit nga armiqtë e kombit. Isa Boletini, Bajram Curri, Ded Gjo Luli, Hasan Prishtina, Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, e qindra malësorë të tjerë, ishin barrikada veriore e këtyre trojeve. Me gjak dhe jetë luftuan për të mbrojtur këtë vend. Çfarë burrash të mëdhenj! Gjatë 100 viteve pavarësi kjo tokë prodhoi shumë lavdi. Kongresi i Lushnjes, lufta e Vlorës, lufta e lavdishme Nacional Çlirimtare, arsimimi i popullsisë, ngritja e artit dhe e kulturës, universiteti, elektrifikimi dhe shteti me identitet të fortë kombëtar, janë pjesë e padiskutueshme e krenarisë për racën tonë. Por ishte fati ynë i keq se, dikur na lanë jashtë vijës ku lulëzonte liria dhe demokracia. Duke qenë pjesë e Europës dhe të izoluar si në një burg, nxorrëm menjëherë në pah antivlerat tona më të shëmtuara. Industrinë e marrëzisë e vumë në efiçensë të plotë. Me ligj sanksionuam luftën ndaj njëri tjetrit, grabitjen e pronës, varfërinë e fshatarit dhe vetëburgosjen e Shqipërisë. Krijuam një karikaturë të diktaturës. Një vetëburgosje dhe vetëtorturim alla shqiptarçe, ishte për armiqtë shërbimi më i vyer që mund tu bëhej. Sa ëndrra, sa jetë, sa gjak, sa sakrifica janë bërë që ky popull të ishte i lirë dhe i qetë në trojet e veta, nga të huajt apo nga marrëzia e hakmarrjes me veten. Vritu gjatë mbretërisë, vritu gjatë diktaturës, vritu në demokraci. Më parë se të bëjmë shtet, na pëlqen ta bëjmë atë karikaturë. Por edhe karikatura është art dhe jeton midis tyre. Kështu, me të mbathura nëpër këmbë, kaluam nga mesjeta primitive në një zhvillim, i cili në shumë drejtime është i barabartë me ata që kanë 1000 vite shtet. Por ne, vetëm në 100 vite.
Nëse atëherë një profet do ti thoshte Shote e Azem Galicës se, pas 100 vitesh një rrugë e gjerë do të përshkojë malet e Shqipërisë deri në Prizren, me siguri ata do të pëshpërisnin: ky kenka boll i marrë! Edhe në ëndrrat poetike të Naimit apo në profecitë atdhetare të Samiut, nuk është parandjerë ky hap i madh në këto 100 vite. Në shumë fusha kemi tejkaluar çdo dëshirë të tyre. Ndërsa në marrëzi jemi 400 vite më anadollakë se në atë kohë. E para na nderon, e dyta na mbulon me turp.
E shoh se Zoti, sot e tutje është plotësisht me ne. Të mirat e mëdha po i vijnë këtij kombi të shumë vuajtur. Të vuajtur nga shtypja e padrejtësitë e të tjerëve si dhe nga marrëzia jonë. Çfarë nuk i kemi bërë njëri tjetrit! E spiunuam, e vodhëm, e vramë, e poshtëruam, e burgosëm, e internuam. Ligësi njerëzore me përmasa të frikshme. Sa herë kujtoj historinë e marrëzisë tonë, më vjen ca turp dhe ca për të qeshur. Turp, sepse më shumë se çdo gjë tjetër ajo ka patur brenda absurdin. Ndërsa për të qeshur, se kemi argëtuar botën me marrëzinë tonë duke u bërë interesant për sytë turistikë të saj. Megjithatë, veset nuk i shpikëm ne. Vodhëm se na kishin vjedhur, vramë se na kishin vrarë, gënjyem se na kishin mashtruar, përdhunuam vajzën e një italiani dhe greku, sepse të parët e saj kishin çnderuar Vlorën dhe Korçën. Jeta ka kompensime. Dhe ato vijnë në forma nga më të ndryshmet. Jemi si gjithë të tjerët, por me një vonesë 500 vjeçare në formimin e shtetit dhe të ligjit. Vonesë që solli pasoja në fatin tonë. Pa shtet nuk ka komb që të civilizohet. Pa ligj dhe rregull nuk lulëzon asnjë gjallesë mbi tokë. Para 100 vitesh ne nisëm të quheshim shtet dhe të kishim qeveri, sepse deri atëherë ishim vetëm komb me histori. Janë pak vite për tu pasuruar, janë shumë vite për kaq marrëzi. 100 vjetorin e pavarësisë e festojmë tani, ndërsa atë të marrëzive mund ta festojmë çdo muaj. Sepse çdo muaj prodhojmë sa për 100 vite marrëzi.
Sidoqoftë, Shqipëria ime është një vend i mrekullueshëm. Me bukuritë e saj përrallore, me njerëzit kontraversë dhe të çuditshëm, me humorin, lavdinë, budallallëkun, heronjtë, të ndershmit dhe horrat, është padyshim i dashur, sepse janë prodhimet tona. Jam i lumtur që jam banor i kësaj toke, i lindur dhe i rritur këtu. Këtu kam dashuruar, urryer, shkruar, nervozuar, qeshur dhe qarë, gënjyer dhe zhgënjyer, dhe padyshim, i survejuar. Punë e madhe fort! E cili nuk u spiunua nga të tjerët në këtë botë? Të gjithë. Edhe spiunët vetë ca më shumë. Jemi si të gjithë kombet e tjerë, me të mira dhe liga. Vetëm kohën e pavarësisë e kemi më të vogël se të tjerët. Por nuk kemi bërë më pak mrekulli për 100 vite. Gjeografia, malet, fushat, deti, kafshët e egra, bagëtia, shpendët, rrugët, autostradat, shtëpitë e reja, njerëzit e lirë, pasuria, demokracia, janë mrekullia më e madhe për këtë tokë.
Dikur territor për tu gllabëruar, sot anëtar i NATO-s si i barabartë. Dikur pa shkolla, me kasolle tërë baltë dhe të uritur, sot çdo familje me dy tre makina. Dikur pa alfabet dhe arsim, sot një kamarier është pa frikë poliglot. Dikur nuk na qasnin as në d

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›