100-vjetori i Pavarësisë, Berisha: Figurat historike t’i vendosim në Tiranë
Berisha në mbledhjen e komitetit shtetëror: “Unë besoj se disa prej tyre, si Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit”
TIRANË Pas mbledhjes së shkurtër të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha drejtoi një tjetër aktivitet, kësaj here në Kryeministri me qëllim fillimin e veprimtarive festive për 100-vjetorin e Pavarësisë. Në mbledhjen e komitetit shtetëror, kryeministri Berisha paralajmëroi se do të ketë një tjetër shesh flamuri, kësaj here në Tiranë, si dhe ridimensionim të figurave historike. “Zotërinj ministra, është shumë e rëndësishme që ne të mbështesim fuqishëm institucionet tona kërkimore shkencore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm, serioz, të një shekulli Shqipëri e pavarur. Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi. Kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të pavarësisë së Shqipërisë. Unë besoj se disa prej tyre, si Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit. Pavarësia vërtet u shpall në Vlorë, por ai ishte një akt madhor dhe pavarësisht problemeve kundrathënëse, kontributi i tyre është i pamohueshëm në këtë shekull, është një kontribut i madh. Aty ku është dhe epiqendra në Shqipëri, aty duhet të jenë ata, mundet të jenë edhe të tjerë. Ju takon juve, Komisionit Shtetëror, t’i shqyrtojë dhe t'i përcaktojë”, - tha Berisha gjatë mbledhjes së komitetit. Kryeministri kërkoi që të bëhen përpjekje maksimale drejt të vërtetave të historisë. “...Pavarësisht nga dritëhijet, është një histori e madhe qëndrese e mbijetese, një histori e madhe luftërash dhe përpjekjesh, e cila u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës. Ne nuk kemi dhe nuk kemi se përse të kemi asnjë kompleks. Mendoj se institucionet tona kërkimore shkencore kanë një detyrë të madhe që të mund t’u paraqesin shqiptarëve të gjitha përpjekjet e tyre, të gjitha sakrificat e tyre, të gjitha arritjet, por edhe gabimet e tyre, sepse ne, - e thotë Churchill - , ‘sa më kthjellët të shohim historinë e shkuar, aq më mirë do mund të projektojmë të ardhmen’”. Është shumë e gabuar të mendohet se studimet, qëndrimet, vlerësimet do të synojnë lartësimin e njërit apo zvogëlimin e tjetrit personalitet në histori. Ata kanë pasur probleme me njëri-tjetrin, kanë pasur dhe kundërshti, kanë pasur dhe armiqësi, por kanë qenë atdhetarë të flaktë”, -tha Kryeministri duke shtuar se historia duhet të ndërtohet mbi të vërtetat. Berisha kërkoi t’i kushtohet rëndësi çdo ngjarjeje, duke propozuar që në këtë 100-vjetor të merret edhe mendimi i qytetarëve, ekspertëve etj.