E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orët pas dobësisë fizike të Berishës në apartamentin e tij

SHKRUAN: Habjon Hasani 13-12-2011 11:06

Pas dobësisë fizike në fund të fjalës së tij për themelimin e PD-së, kryeministri Berisha ka qëndruar 20 minuta nën kujdesin e mjekëve në Pallatin e Kongreseve. Mbrëmja e kaluar në shtëpi, i vizituar nga mjekët, Topalli e Basha, si dhe disa deputetë

Kryeministri Sali Berisha e ka kapërcyer me autoironi dobësinë fizike të sallës së mbushur përplot për 21-vjetorin e themelimit të PD-së. Në hollin e Pallatit të Kongreseve, prej nga doli i shoqëruar prej truprojave dhe mjekëve, njëherazi miq të tij, Kryeministri ka qeshur dhe bërë humor me veten, si për të shtendosur fytyrat e shqetësuara të stafit të tij të ngushtë. Pasi ka lënë në mes fjalimin për shkak të gjendjes shëndetësore, Berisha është dërguar drejt njërës prej dhomave private të Pallatit të Kongreseve, ku i është nënshtruar një konsulte mjekësore. Ka qëndruar aty rreth 20 minuta, për të dalë më pas i shoqëruar nga mjekët Mentor Petrela, Nestor Thereska e Tritan Shehu dhe ka përshëndetur njerëzit e mbledhur në holl për të marrë vesh më shumë rreth shëndetit të tij. Më pas, Kryeministri është drejtuar për nga shtëpia e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku një ekip tjetër mjekësor e priste në apartament. Tri autoambulanca të klinikave të njohura në vend kanë qenë gati për çdo të papritur, por kryeministri Berisha mësohet se e ka kaluar gjithë mbrëmjen në shtëpinë e tij, i shoqëruar nga familjarët dhe i vizituar nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Rreth orës 21:00, në rrugën “Mustafa Matohiti” janë mbledhur edhe disa militantë të Partisë Demokratike, syresh me lule në duar, por masat e rrepta të gardistëve që garantojnë sigurinë e Kryeministrit janë kujdesur që rruga të qëndronte e lirë gjatë gjithë kohës. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka qenë ndër të parët zyrtarë të lartë që është parë të hyjë në pallatin e Berishës për ta vizituar atë pas gjendjes së dobësisë, që mesa duket ka si shkak një virozë, për të cilën ai ishte duke u mjekuar . Kryeministri është vizituar në shtëpi edhe nga kryebashkiaku Lulzim Basha, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ai i Mjedisit, Fatmir Mediu ,si dhe deputetët Flamur Noka e Lefter Maliqi. Burime të MAPO-s thanë se gjatë orëve të mbrëmjes, forca të Gardës janë dërguar në mjediset e Spitalit Amerikan në Tiranë, stafi i të cilit kaloi në gatishmëri, por kryeministri Berisha duket se preferoi të merrte mjekim ambulant në shtëpi. Përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Berishës mund të kuptohej mbrëmë nga normalizimi i masave në rrugën ku ai banon, por edhe nga parkimi i makinës së tij në mjediset e Kryeministrisë, rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Përmes një njoftimi për shtyp, zyra e Kryeministrit e cilësoi si gjendje lodhjeje, dobësinë fizike të Berishës gjatë përvjetorit të 21 të themelimit të Partisë Demokratike. Pas gjendjes së lipotemisë (debolesës), konsultat mjekësore treguan parametra normalë dhe gjendje të stabilizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›