Leskaj drejt KLSH, grupi i PD-së vendos ta mbështesë
TIRANË Bujar Leskaj pritet të jetë kryetari i ardhshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë pro kësaj kandidature pas një vendimi të komunikuar dje nga vetë kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura u ka komunikuar deputetëve vendimin për të votuar pro Leskajt, ndërkohë që qëndrimi i tij ndaj kësaj kandidature nuk ka qenë fort entuziast. Kryeministri Berisha, i fundit që në fakt nuk kishte thënë ende fjalën e tij kryesore për këtë kandidaturë, vendosi të japë mbështetjen e partisë që ai drejton, me qëllimin e shmangies nga kriza të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që prej dy muajsh vijon të jetë pa kryetar, si dhe për të mos thelluar konfliktin me Presidentin e Republikës deri në fund të muajit korrik, kur zyrtarisht përfundon edhe mandati i Presidentit. Pak kohë më parë, Partia Demokratike votoi kundër kandidaturës së parë të Presidentit Topi për postin e Kryetarit të KLSH-së, ndërsa Partia Socialiste abstenoi. Kësaj here, PS-ja e ka thënë votën e saj kundër, ndërsa PD-ja bashkë me partitë aleate do të votojnë pro për të arritur edhe numrin prej 71 votash që duhen për të kaluar dekretin e Presidentit. Bujar Leskaj mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike” dhe ka mbaruar tri fakultete: fakultetin Gjeologji-Miniera në vitin 1990; fakultetin e Ekonomisë, dega Financë në vitin 1998, dhe fakultetin e Drejtësisë në 2002-in. Në CV-në e Leskajt renditen edhe disa specializime pasuniversitare. Ai ka botuar disa libra, ndërkohë që prej vitit 1997 Leskaj është anëtar i PD-së. Më 2001-2005, anëtar i Bordit financiar të PD-së dhe prej disa vitesh, anëtar i Këshillit Kombëtar. Në periudhën 2005-2009, Leskaj ka qenë deputet i PD-së në zonën zgjedhore 49 në qarkun e Vlorës, ku mori 6 272 vota. Për periudhën shtator 2005–mars 2007, Leskaj ka mbajtur edhe postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.