E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në gjendje debolese, ndërpritet festa e 21-vjetorit të PD

Kryeministri nuk është ndjerë mirë për shkak të një lipotime (debolese), duke lënë në mes festën për 21-vjetorin e PD-së. Shoqërohet nga truprojat në një ambient të Pallatit të Kongreseve dhe më pas në shtëpinë e tij

TIRANË Në fund të fjalimit të gjatë të mbajtur dje në ceremoninë e organizuar me rastin e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha ndërpreu leximin dhe u mbështet në podium. Më pas mbylli letrat e fjalimit. Piu një gotë ujë, por nuk mundi të bëjë “gëzuar”, ashtu siç e do riti i kësaj feste. Kreu i ekzekutivit nuk u ndje mirë mbrëmë, duke shfaqur shenja dobësie në podium. Zverdhja e tij në fytyrë u kuptua qartë nga të pranishmit, e po aq edhe nga truprojat e tij, të cilët kanë qenë të parët që e kanë shoqëruar nga podiumi, prapa skenës gjigante e ngritur me rastin e 21-vjetorit të krijimit të PD-së. Pas Berishës kanë qenë edhe kryetarja e Kuvendit, Topalli e kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Në daljen e tij drejt një tjetër ambienti të Pallatit të Kongreseve, larg syrit të të ftuarve, Berisha është shoqëruar edhe nga mjekë, të cilët ishin ftuar në festën e organizuar dje, e konkretisht nga Tritan Shehu, Mentor Petrela e Nestor Tereska, të tre mjekë me eksperiencë. Berisha qëndroi nën shoqërinë e tyre për 15 minuta. Më pas ka pirë një kafe për shkak dhe të tensionit të ulët, që mesa duket i shkaktoi edhe gjendjen e dobësisë. Ndërkohë, në hollin e Pallatit të Kongreseve të pranishmit qëndruan në pritje të rifillimit të ceremonisë. Ata që hynin e dilnin nga vendi ku Berisha po qetësohej, ishin anëtarët e kabinetit qeveritar dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli. Rreth orës 19:00, atëherë kur nuk pritej për ndonjë rikthim të Berishës në festë,

Topalli iu drejtua podiumit. “Berisha tani është në gjendje të mirë. Është Ok... Gjendja e tij lidhet me një virozë të lehtë”, - u shpreh ajo. E në fakt, ishte Topalli ajo që e mbylli ceremoninë e mbrëmshme. Në oborrin e Pallatit të Kongreseve ndërkohë kishte mbërritur edhe një ambulancë, që për këdo krijoi përshtypjen se kryeministri do të shoqërohej për në spital. Por ndryshe nga sa mendohej, pas matjes së tensionit kryeministri është larguar drejt shtëpisë, duke hipur në makinën e tij e duke përshëndetur njerëzit që ndodheshin jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve. Në orën 19:15, pjesa tjetër e kabinetit qeveritar që e shoqëronin iu rikthyen ceremonisë, kësaj here të qetësuar, duke njoftuar këdo të interesuar se gjendja e kryeministrit ishte mirë. Po në ato momente u njoftua se për këtë debolesë të Kryeministrit të vendit do të kishte edhe një njoftim zyrtar, një fakt që tanimë nuk mund të shmangej sa kohë që gjithçka ishte live nga shumica e mediave në vend.

Reagimi i Kryeministrisë

Një orë pas ndërprerjes së ceremonisë, zyra e shtypit e Kryeministrisë shpërndau një njoftim për shtypin, i cili thoshte se “Sot (dje) në mbrëmje, kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij me rastin e 21-vjetorit të PD-së. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar. Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar. Më pas u kthye në apartamentin e tij”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Në deklaratën zyrtare thuhet gjithashtu se “Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar, dhe uron dhe njëherë Gëzuar festën!”.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›