E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i “Vatrës”, veprimtaria e saj në një ekspozitë

TIRANË- Një ditë para jubileut të 100-vjetorit të Shoqatës shqiptare në Amerikë, “Vatra”, Arkivi Qendror i Shtetit ka nxjerrë nga arkivat e tij dokumentet për veprimtarinë dhe kontributin e “Vatrës” të cila u ekspozuan pasditen e djeshme në Muzeun Historik Kombëtar. 

Ekspozita e realizuar nga arkivistë të AQSH-së, përmban dokumente dhe fotografi që prej themelimit të “Vatrës”, veprimtarinë e saj në vitet 1924-1939 dhe 1939 e deri në vitin 1944, kontributi ekonomik i saj, veprimtaria kulturore, kontributi në mbështetje të çështjes shqiptare, etj.
Drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika u shpreh se kjo është ekspozita e parë që organizon Arkivi në kuadër të 100-vjetorit, e që do të pasohet nga ekspozita të tjera me dokumente dhe foto për të gjitha kolonitë shqiptare që kontribuan në shpalljen e Pavarësisë. 

“Në këtë ekspozitë të thjeshtë gjeni emra njerëzish që nuk menduan kurrë se do të mbeteshin në histori për punën e tyre dhe kontributin që dhanë. Janë një sërë personalitetesh shqiptarë dhe të huaj, albanolog, historian, politikan dhe ne kemi menduar t’i grupojmë në këto veprimtari”, tha Nikaj duke shtuar se AQSH është në dispozicion për të gjitha institucionet që do të kremtojnë 100-vjetorin. 

E pranishme në ekspozitë ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila citoi Konicën duke thënë se Vatra lindi për të bërë harxhe dhe kurrë nuk kërkoi ndere. “Sikur secili prej ne shqiptarëve të mendonte çdo sekond se ka patur patriot dhe ka njerëz që lindin në këtë jetë vetëm për të kryer harxhe dhe mos të kërkojnë kurrë ndere natyrisht edhe më mirë do t’i bënin vendit tonë edhe më shpejt do të ecnim drejt stacioneve të tjera”, tha Topalli.
Kryeparlamentarja shtoi se gjithsesi këtë 100-vjetor jemi më krenar se asnjëherë në historinë e mijëvjeçarit, jemi të lirë dhe si asnjëherë në histori jemi pjesë e një orientimi brenda aleancës së lirisë. 

Ekspozita ndër të tjera pasqyton përmes disa dokumenteve edhe mosmarrveshjet e Konicës dhe Nolit për qëndrimin që duhej mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris nga delegatët e “Vatrës”. Ekspozita pasqyron edhe degët e Shoqatës shqiptare në Amerikë, rreth 40 degë në Amerikën Veriore dhe 2-3 në Kanada. Kjo ekspozitë do të çelet edhe në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit për të pasqyruar veprimtarinë e “Vatrës”. “Vatra” u themelua më 28 prill të vitit 1912 në Boston, me iniciativën e Kristo Floqit, kryeredaktor i gazetës “Dielli”. 

Përveç mbrojtjes së interesave shqiptare, një ndër detyrat e Vatrës ishte krijimi i një sensi të kombit shqiptar. Udhëheqësit e Vatrës kishin detyrën e vështirë të bashkonin të gjithë shqiptarët në mbështetje të interesave të gjera të kombit. Edhe 100 vjet pas themelimit të saj, kjo organizatë vazhdon të jetë një forum bashkimi për shqiptarët rreth synimeve dhe interesave kombëtare.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›