E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Berisha pranoi ‘të vegjlit’, nuk mund të na e dredhin nën dritën e diellit

TIRANË-Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo deklaroi sot në në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie me rastin e në 9-vjetorit te themelimit të PDS-së se, në prononcimin e fundit publik kryeministri Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë për zgjedhjen e formulës që materializon propozimet e partive të vogla.
“Berisha la të hapur mundësinë për zgjedhjen e formulës që materializon propozimet tona. Nuk ka mundësi që drafti të mos shqyrtohet nga komisioni ku kanë hedhur firmën 26 parti, nuk mund ta dredhin në dritën e diellit. Është një detyrim për dy forcat kryesore që të miratojnë një reformë, ku vota të jetë e barabartë”, u shpreh Milo.

Milo përsëriti sot apelin për marrjen parasysh të kërkesave të partive të vogla për amendimin e kodit elektoral, nga ana e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar të PDS-së, Milo tha se tryeza e 26 partive politike, të spektrit të djathtë dhe të majtë, ishte një eveniment unik në historinë e pluralizmit shqiptar.
Sipas tij, kjo tryezë u mblodh për të shqyrtuar një nga problemet më të rëndësishme, atë të realizimit të një reforme të drejtë zgjedhore, e cila do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
"Dokumenti i nënshkruar nga 26 partitë politike nuk është një rekuizit autografesh, por një dokument serioz që duhet të kthehet nga komisioni parlamentar në pjesë integrale e kodit zgjedhor. Kryetarët e komisionit janë përfaqësues politikë të partive të tyre dhe asnjë grup nuk mund të shpërbëjë qëndrimin e nënshkruar nga 26 partitë", tha Milo.
Në këtë kuadër, kryetari i PDS-së vlerësoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, pasi ajo ndodhet pranë vendimmarrjeve të rëndësishme nga politika, e cila nuk mund t’i lejojë vetes gabime.
"Nëse politika do të bëjë riciklimin e gabimeve të së kaluarës, atëherë Shqipëria do të riciklojë antivlerat e saj, që janë përpjekur ta tërheqin zvarrë në këto 20 vjet", u shpreh Milo.
Ai shtoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë një rëndësi të veçantë, pasi sipas tij është i domosdoshëm një rotacion politik pas 8 vjetësh qeverisjeje, sipas tij, të dështuar.
"Zgjedhjet parlamentare të 2013-s janë shumë të rëndësishme për vendin. Është i domosdoshëm një rotacion politik. Kjo qeveri dhe maxhoranca e saj nuk kanë shans për të qëndruar më tej në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Do të jetë shumë e vështirë për shqiptarët që të binden të votojnë për herë të tretë një koalicion partish në qeveri, e cila nuk ka bërë atë që është angazhuar në programin e saj elektoral, në radhë të parë në përballimin e sfidave të përditshme në jetën e shqiptarëve", u shpreh Milo.

Duke shprehur angazhimin e PDS-së, si parti e së majtës, Milo theksoi se sfida e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare kërkon konsolidimin e koalicionit opozitar, i cili sipas tij, duhet të ndërtojë një program bashkëpunimi elektoral dhe postelektoral të qartë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›